Të gjithë ata të cilët i drejtohen Thethit ndalesën e parë e kanë patjetër në Qafëthorë, në ballkonin panoramik i cili shërben jo vetëm për një ndalesë të shkurtër për të shijuar bukurinë e papërsëritshme të natyrës, por edhe për të shkrepur një foto, për ta marrë si një kujtim në vende të ndryshme nga të cilët ata vijnë.
Panorama e Malësisë së Alpeve dhe kthesat karakteristike të kësaj zone ju orientojnë vizitorët të ndalojnë për disa çaste në Qafëthorë për të shijuar pamjen dhe për të realizuar fotografi. “Unë jam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jetoj në Argjentinë. Është hera e parë që vij në këtë vend. Më pëlqen shumë natyra. Ajri është shumë i pastër” , shprehet një turist.
“Vij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është hera e parë këtu. Është shumë bukur. Është një mrekulli. Kam ardhur të vizitoj Alpet dhe do përpiqem të shkoj në sa më shumë vende të mundem. Do qëndroj këtu dy ditë bashkë me të dashurën time”, tregon një turist amerikan. “Vij nga Gjermania. Është hera e parë në Shqipëri.
Kam dëgjuar për Shqipërinë nga miqtë e mi dhe më kanë folur shumë mirë. Kam ardhur për hiking edhe pse më rekomanduan miqtë e mi. Do të qëndroj tre ditë ”, shprehet një tjetër. “Vij nga Anglia. Është hera e parë në Shqipëri. Kam ardhur për tre ditë bashkë me një shok. Pastaj do shkojmë në Bosnjë.
Kam në plan të vizitoj Syrin e Kaltër dhe të bëj shtegun e Valbonës”, rrëfehet një turist anglez. E ndërsa vizitorët largohen me kujtime të paharrueshme, Qafa e Thorës vijon të jetë porta magjike e Alpeve Shqiptare, e cila çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota.
