Ish-basketbollisti i njohur kosovar, Granit Rugova, ka kurorëzuar dashurinë me Melita Shabanin, duke i dhënë fund beqarisë mbrëmjen e së shtunës. Çifti ka organizuar ceremoninë e dasmës në prani të familjarëve, miqve dhe njerëzve të afërt. Pamje nga dita e tyre e veçantë janë publikuar edhe në rrjetet sociale, ku Graniti dhe Melita shfaqen së bashku, të veshur si dhëndër e nuse.
Për këtë ditë të rëndësishme, Melita kishte zgjedhur një fustan të bardhë elegant, ndërsa Graniti u shfaq me një kostum klasik të zi. Rugova është një prej emrave të njohur të basketbollit kosovar. 40-vjeçari nga Prishtina konsiderohej ndër basketbollistët më të spikatur të periudhës së pasluftës, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës e kaloi te Sigal Prishtina.
Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Pas përfundimit të karrierës si basketbollist në vitin 2018, Rugova vijoi angazhimin e tij në sport në role drejtuese. Ai ka mbajtur detyrën e drejtorit të Përfaqësueseve në Federatën e Basketbollit të Kosovës, ndërsa nga viti 2022 deri në vitin 2024 drejtoi Drejtorinë e Sportit në Komunën e Prishtinës.
Aktualisht, Rugova është rikthyer në strukturat e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ku ushtron detyrën e Drejtorit të Programeve dhe Projekteve Zhvillimore. Tashmë, përveç angazhimeve profesionale, Granit Rugova ka nisur një kapitull të ri në jetën private, krah bashkëshortes së tij, Melita Shabani. Norik Uka
