Të paktën 734 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,400 të tjerë rezultojnë të zhdukur në Nepal, thonë zyrtarët lokalë, pas përmbytjeve të së mërkurës, shkruan BBC, përcjell KosovaPress. Ndihmat po mbërrijnë, por po del e vështirë të arrish tek njerëzit e prekur, tha për BBC-në koordinatorja rezidente e Kombeve të Bashkuara në Nepal, Lila Pieters Yahia.
Koordinatori i OKB-së thotë se ekipet e shpëtimit indiane dhe kineze që mbërritën dje po punonin për të ofruar mbështetje shtesë. «Por është e vështirë ta çosh tek njerëzit sepse qasja është jashtëzakonisht e vështirë », thotë Yahia.
Qeveria ka filluar “transportin ajror të gjithçkaje” me helikopter dhe përdorimi i dronëve për të ofruar ndihmën në mënyrë më efektive po diskutohet brenda qeverisë, shton zyrtari. “Moti nuk po na ndihmon ,” shton Yahia. Parashikimi i motit sugjeron se shiu do të vazhdojë të paktën deri të hënën, duke e përkeqësuar një operacion kërkim-shpëtimi që tashmë është sfidues.
Shumë njerëz mbeten të bllokuar në tunelet e hidrocentraleve në Nepalin verior dhe balta e dendur po i pengon ekipet e shpëtimit të hyjnë në to. India dhe Kina kanë dërguar ekspertë për të ndihmuar. Me qindra shtetas të huaj të zhdukur, ndihmat po vazhdojnë të vijnë.
Shtetet e Bashkuara kanë premtuar 3.6 milionë dollarë ndihmë humanitare, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një ekip të vendosjes së shpejtë në Nepal për të mbështetur shtetasit britanikë. Kjo është katastrofa më e keqe e Nepalit në më shumë se një dekadë.
Shkencëtarët besojnë se përmbytja e menjëhershme u shkaktua nga një “kolaps akullnajor”, kur e gjithë ose një pjesë e një akullnaje shpërbëhet, dhe çoi në “ndikime katastrofike në rrjedhën e poshtme”. Pavarësisht shkallës së katastrofës, mijëra njerëz janë shpëtuar. Por, ndërsa kërkimet hyjnë në ditën e pestë, shumë nga familjet që takojmë na thonë se po përgatiten për më të keqen.
