Dy persona kanë vdekur pasi dyshohet se ranë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, në Shqipëri. Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit, ka konfirmuar për KALLXO.com se viktimat janë S. P., 40 vjeç, roje i lokalit, dhe D. D., 46 vjeç, elektricist.
Sipas Policisë, të dy personat dyshohet se ranë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të lokalit në pronësi të shtetasit Gj. S. S. P. humbi jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa fillimisht u raportua se D. D. ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia më pas njoftoi se edhe 46-vjeçari kishte humbur jetën gjatë transportimit për në spital.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
