Messi flet për lotët pas golit të parë në natën historike

0%

Shpërndaje në: Lionel Messi është shfaqur shumë emocional pas golit të parë në ndeshjen ndaj Algjerisë. Ai i shënoi të tre golat në fitoren 3:0 të Argjentinës. “Nuk ka të bëj asgjë me futbollin, kam kaluar disa ditë të vështira”, tha Messi lidhur me momentin emocional pas golit të parë, gjatë të cilit mezi ndali lotët. “Një çështje krejtësisht jashtë sportit. Kalova disa ditë të vështira dhe të ndërlikuara”. Messi ka vlerësuar bashkëlojtarët, por edhe gjithë të tjerët për përkrahjen që po i jepin. “Jam mirënjohës për gjithë delegacionin, për bashkëlojtarët. Ata bëjnë shumë përpjekje për t’u siguruar që jam mirë”, ka thënë Messi. Tani askush nuk ka më shumë gola se Messi në Kampionate Botërore. Messi dhe Miroslav Klose i kanë nga 16. Por kjo shifër duket që nuk ka shumë rëndësi për argjentinasin. “Është nder të jesh në krye të listës për shkak të rëndësisë që ka. Të jem përkrah Kloses, atyre që janë aty. Në fund të fundit janë thjesht statistika dhe asgjë më shumë. Ronaldo (Nazario), nga ajo që kam parë, është prej më të mëdhenjve, dhe ai nuk është i pari. Edhe Mbappe, që shënoi dy gola për Francën”, ka theksuar superylli. Messi e ka përmendur në konferencë edhe tenistin e njohur Rafael Nadal. “Po e shijoj këtë, ndihem shumë mirë dhe i lumtur në fushë. E dua futbollin, ishte pasioni im që kur isha fëmijë dhe gjithnjë jap më të mirën. Po shikojmë një seri për Rafael Nadal aktualisht dhe ndihem si ai, në kuptimin e dhënies së çdo gjëje dhe shijimit të asaj që e bën”. Messi ka lavdëruar edhe algjerianët. “Kanë lojtarë të mirë, janë dinamikë. Jemi munduar të dominojmë ndeshje, por patëm vështirësi me posedim të topit, siç bëjmë zakonisht, veçanërisht në pjesën e parë. Mund të shihni në këtë Kupë Bote se të gjitha ekipet janë të përgatitura mirë. Ka ekipe të forta dhe askush nuk heq dorë lehtë”. Të hënën e ardhshme Argjentina luan me Austrinë, ndërsa më 28 qershor ndaj Jordanisë. Do të jenë ndeshje në të cilat Messi do ta synojë rekordin për më së shumti gola në Botëror.

Burimi: Koha