Presidenti i Komiteti Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi foli pas suksesit të xhudos në ditën e dytë rradhazi e mbushur me medalje. Ai fillimisht vlerësoi arritjen e deritanishme me gjashtë medalje dhe synimet për më shumë, sidomos për ekipet që po marrin përvojë për Prishtina 2030. Krasniqi: “Padyshim që një arritje shumë e madhe, numri çdo herë po rritet”
Padyshim që një arritje shumë e madhe, po e shihni që numri çdo herë e çdo paraqitje po rritet në Lojërat Mesdhetare, deri tash i kemi gjashtë medalje, besoj që edhe në karate do të kemi medalje, po pse jo edhe në peshëngritje, e kemi një garues shumë të përgatitur që mund të na sjellë medalje edhe besoj që këtë herë do të kthehemi në Kosovë edhe me më shumë medalje se çdo herë.
Ky numër duhet të rritet në të ardhmen sidomos në Prishtina 2030 sepse ky ka qenë synimi ynë që të shohim këtu edhe ato ekipe të cilat kanë qenë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare e kanë marrë një përvojë të jashtëzakonshme edhe besoj që kjo do t’i ndihmojë shumë ata që ta shohin veten se ku janë dhe çka duhet të bëjnë që të jenë në konkurrencë për medalje në Prishtina 2030.
Më pas, ai u ndal te emocionet e finales së Donjeta Sadikut dhe te investimi 4-vjeçar në sportistë. KRASNIQI: “Është e papërshkrueshme kur Donjeta e fitoi medaljen e artë” Është e papërshkrueshme, kur Donjeta e fitoi medaljen e artë nuk kam mundur as lotët t’i ndal, ka qenë një atmosferë shumë interesante dhe dihet çfarë kundërshtari kemi pasur mirëpo janë emocione të papërshkrueshme.
Normal për mua është një sukses shumë i madh sepse për 4 vite përgatiten garuesit tanë nëpër kampe të ndryshme, shpenzojnë mjete nga Komiteti Olimpik, nga buxheti i Republikës së Kosovës edhe normal që ky duhet të shpaguhet me këto medalje.
Ne jemi vend i vogël, shtet i vogël, jemi të pranuar vetëm 11 vjet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar edhe besoj që për këto 11 vjet Kosova ka pasur një progres të jashtëzakonshëm nëse i marrim në përgjithësi duke pasur parasysh se kemi edhe medalje evropiane, medalje botërore, medalje ballkanike, mesdhetare e olimpike që janë shumë të rëndësishme sepse tash i kemi 5 medalje olimpike edhe ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë t’i përkrahim atletët tanë edhe më shumë edhe synojmë edhe garat në LA që të thejmë rekordin e medaljeve olimpike.
Në fund, Krasniqi foli edhe për trajnerin Driton Kuka, i cili në çdo garë e humb zërin për shkak të stilit të tij dhe ndihmës që iu jep garuesve nga jashtë. KRASNIQI: “Toni çdo garë i shteret zëri”
Toni (Driton Kuka) çdo garë i shteret zëri sepse ju e keni parë se ai e ka një stil që del në publik sepse atje poshtë me bë ato bërtitma e merr dënimin nga referi kështu që nuk është e lejuar me bërtit aq shumë, kështu që ai del jashtë dhe i ndihmon edhe trajnerit i cili është aty mirëpo edhe garuesve, e ka një strategji shumë të mirë, garuesit e dëgjojnë.
Normal që i ka shterë zëri sepse nuk është lehtë hiç. Kosova deri më tani ka fituar gjashtë medalje në Taranto 2026. Donjeta Sadiku solli medaljen e artë në boks, duke bërë histori si medalja e parë për Kosovën në këto Lojëra.
Në xhudo, Laura Fazliu fitoi të argjendtën në -63kg, ndërsa Fatjona Kasapi në -52kg, Flaka Loxha në -57kg, Akil Gjakova në -73kg dhe Shpati Zekaj në -100kg u stolisën me medalje të bronztë. Këto Lojëra po shërbejnë edhe si test i rëndësishëm për Prishtina 2030, ku Kosova do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare.
Me 11 vjet anëtarësim në KOM dhe 5 medalje olimpike të fituara deri më tani, KOK-u synon thyerjen e rekordit në Lojërat Olimpike Los Angeles 2028.
