Operacionet e shpëtimit kanë hyrë në ditën e katërt, por autoritetet nepaleze po paralajmërojnë se po e kanë të vështirë të përballojnë numrin e trupave të dekompozuar që janë gjetur.
Të paktën 3,000 persona konsiderohen tashmë të zhdukur pas përmbytjeve të menjëhershme katastrofike në kufirin Nepal-Kinë, ndërsa në zonat e prekura nga përmbytjet priten më shumë reshje gjatë kësaj fundjave, teksa operacionet e shpëtimit vazhdojnë. Më shumë se 600 persona kanë vdekur në Nepal dhe shtatë në Kinë.
Ministri i Jashtëm i Nepalit thotë se u është drejtuar qeverive të huaja për ndihmë të specializuar dhe për frigoriferë, pasi autoritetet po përballen me vështirësi për shkak të rritjes së numrit të trupave të gjetur. Zyrtarët po planifikojnë t’i varrosin mbetjet mortore që nuk mund të identifikohen në një varr masiv.
Ekipet e CNN-it kanë parë shtëpi të shkatërruara në Nepal, ndërsa familjet kërkojnë me dëshpërim informacione. Mediat shtetërore kineze raportuan se nuk ka shenja të të mbijetuarve në një pikëkalim kufitar që u përfshi nga vala e përmbytjes.
Gati 900 punonjës nepalezë, të cilët po punonin në projekte hidroenergjetike, konsiderohen të zhdukur nga përmbytjet, sipas të dhënave të përpiluara nga Shoqata e Prodhuesve të Pavarur të Energjisë e këtij vendi. Sipas të dhënave, deri më tani janë shpëtuar rreth 361 punëtorë të kësaj industrie.
Vërshimi i papritur i ujit shkatërroi dhjetëra projekte hidroenergjetike që ndodheshin pranë kufirit Nepal-Kinë, shumë prej të cilave ishin të vendosura në gryka të thella dhe të izoluara lumenjsh. Si pasojë, shumë punëtorë vazhdojnë të jenë të bllokuar në kantieret e ndërtimit dhe në tunele.
Në pamundësi për të arritur tek ata, Qeveria e Nepalit ka kërkuar nga India dhe Kina ekspertë të shpëtimit në tunele, për të ndihmuar në nxjerrjen e punëtorëve të bllokuar. Ekipet nga të dyja vendet mbërritën sot në Nepal, ndërsa pritet të arrijnë edhe pjesëtarë të tjerë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në Nepal dhe Kinë, pasi më shumë se 3,000 persona konsiderohen ende të zhdukur dhe të paktën 600 janë konfirmuar të vdekur pas përmbytjeve të menjëhershme shkatërruese të së mërkurës.
Ushtria e Nepalit, në një njoftim të publikuar sot, tha se 2,650 persona janë shpëtuar në vend përmes evakuimit ajror, përfshirë 216 shtetas të huaj, ndërsa 200 të tjerë janë shpëtuar në rrugë tokësore. Rreth 8,300 pjesëtarë të ushtrisë së Nepalit janë angazhuar, ndërsa po vazhdojnë kërkimet, trajtimi emergjent mjekësor dhe shpërndarja e ndihmave, tha ushtria.
Disa zona të izoluara vazhdojnë të jenë të vështira për t’u arritur dhe disa ekipe po përpiqen të shkojnë atje me helikopterë. Një ekip i CNN-it dëgjoi helikopterë duke fluturuar nga kazermat e Trishulit, duke filluar rreth orës të mëngjesit, sipas kohës lokale. Ndërkohë, ekipe nga India, Kina dhe Koreja e Jugut po angazhohen për t’i përforcuar operacionet e ndihmës.
Në mesin e tyre janë pesë pjesëtarë të shpëtimit me ekspertizë në tunele, të cilët mbërritën sot në Kinë nga Nepali, raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua, ndërsa katër të tjerë janë rrugës. Sipas Xinhua-s, ekspertët iu bashkuan menjëherë operacioneve të shpëtimit në tunelin e një hidrocentrali.
Në total, rreth 900 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar në tunelet e hidrocentraleve në Nepal, tha Sumnima Uddas, deputete e Parlamentit të Nepalit. “Koha është vërtet vendimtare për të kërkuar dhe shpëtuar sa më shumë të mbijetuar që të mundemi” – tha Uddas për CNN-in.
Si një kërcënim tjetër për operacionet e shpëtimit, studiuesit dhe zyrtarët lokalë kanë paralajmëruar për mundësinë e vërshimeve të reja pranë zonës fillestare të përmbytjes, përderisa priten reshje shiu./ CNN
