Një çift të moshuarish nga rrethi Hildburghausen në Gjermani ka humbur monedha ari dhe argjendi në vlerë rreth 20 mijë euro, pasi u mashtrua nga persona që u paraqitën si policë. Rasti ndodhi të enjten pasdite, kur çifti mori një telefonatë nga persona që pretendonin se ishin pjesëtarë të Policisë Kriminale të Bavarisë.
Mashtruesit u thanë të moshuarve se vajza e tyre kishte shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet. Më pas, ata i bindën se vajza mund të shpëtonte nga paraburgimi vetëm nëse familja dorëzonte para dhe sende me vlerë. Për ta bërë historinë më bindëse, mashtruesit e udhëzuan burrin të nisej drejt Bambergut, ku i thanë se mund ta merrte vajzën nga paraburgimi.
Ndërkohë, gruaja mbeti në banesë. Aty shkoi një person i panjohur, të cilit ajo ia dorëzoi monedhat e arit dhe argjendit, me vlerë rreth 20 mijë euro. Vetëm më vonë çifti kuptoi se kishte rënë pre e një skeme mashtrimi dhe se vajza e tyre nuk ishte arrestuar për ndonjë aksident.
Policia gjermane ka paralajmëruar qytetarët që të mos u besojnë telefonatave të tilla dhe të mos dorëzojnë para apo sende me vlerë nën presion. Sipas policisë, policia e vërtetë nuk kërkon kaucion dhe nuk shkon nëpër banesa për të marrë para apo sende me vlerë . Në raste të dyshimta, qytetarët këshillohen ta ndërpresin telefonatën dhe ta kontaktojnë drejtpërdrejt policinë në numrin 110.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
