Benjamin Cremaschi, mesfushori 21-vjeçar i Parmës, ka rrëfyer disa nga momentet më të veçanta të karrierës së tij, përfshirë takimin e parë me Lionel Messin gjatë kohës kur të dy ishin pjesë e Inter Miami.
Në një intervistë për “Repubblica”, futbollisti me origjinë italiane dhe prindër argjentinas foli për fëmijërinë në Miami, zgjedhjen për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara dhe ndikimin që pati Messi në eksperiencën e tij në MLS. “Messi tashmë e dinte kush isha” Cremaschi tregoi se takimi i parë me yllin argjentinas ndodhi herët në mëngjes në qendrën stërvitore të Inter Miami.
“Unë kisha rreth gjashtë muaj te Inter Miami, ndërsa Messi sapo kishte ardhur nga PSG. Parkova makinën në qendrën stërvitore dhe e pashë. Ishte me tre fëmijët e tij”, kujtoi ai. Mesfushori pranoi se në atë moment nuk dinte si të vepronte. “Nuk dija çfarë të bëja, kështu që telefonova nënën time.
Ajo më këshilloi të shkoja dhe t’i prezantohesha, sepse nuk kishte njerëz përreth dhe ishte momenti i duhur për të mos e shqetësuar.” Cremaschi e ndoqi këshillën e saj dhe mori një surprizë të këndshme.
“Shkova t’i flisja dhe gjëja e pabesueshme ishte se ai tashmë e dinte se kush isha.” “Në stërvitje askush nuk dëshiron ta rrezikojë Messin” I pyetur nëse kishte arritur ndonjëherë t’ia merrte topin Messit gjatë stërvitjeve, Cremaschi u përgjigj me humor. “Jo, për dy arsye. E para, sepse është pothuajse e pamundur t’ia marrësh topin.
E dyta, sepse askush nuk dëshiron të rrezikojë ta dëmtojë me ndonjë ndërhyrje gjatë stërvitjes. Të gjithë ndalemi përpara se të ndodhë diçka e tillë.” Pse zgjodhi Shtetet e Bashkuara Edhe pse ka prindër argjentinas dhe është rritur në një ambient të fortë latino-amerikan, Cremaschi vendosi të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në nivel ndërkombëtar.
“Ndjehem po aq argjentinas sa edhe amerikan. Prindërit e mi dhe miqtë e mi flasin spanjisht dhe vetë Florida është një shtet me kulturë shumë të fortë latine”, shpjegoi ai. Vendimi nuk ishte i lehtë. “E diskutuam shumë edhe si familje.
Kisha shumë dyshime, por në fund vendosëm të zgjidhnim Shtetet e Bashkuara.” Valverde, Llorente dhe Reece James si modele Duke folur për profilin e tij si futbollist, Cremaschi tha se preferon të jetë një lojtar sa më i kompletuar dhe i aftë për të luajtur në disa role. “Më pëlqen të bëj nga pak gjithçka.
Lojtarët që i marr si referencë janë Valverde, Llorente dhe Reece James.” Sipas tij, fleksibiliteti taktik është një avantazh i madh në futbollin modern. “Mendoj se është shumë e rëndësishme të jesh në dispozicion të trajnerit për role të ndryshme.
Pikërisht falë kësaj aftësie për t’u përshtatur arrita të fitoja një vend edhe në Lojërat Olimpike.” Tani, pas aventurës në Inter Miami dhe eksperiencës përkrah Lionel Messit, Cremaschi ka nisur një kapitull të ri në Itali me Parmën, ku synon të vazhdojë zhvillimin e tij në futbollin evropian.
