Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar nga institucionet kompetente që të verifikojnë dhe të sqarojnë autenticitetin, origjinën dhe përmbajtjen e një dokumenti të cilësuar në publik si “Top Secret”, i cili pretendohet se lidhet me Bashkësinë Islame të Kosovës .
Në një deklaratë publike, Tërnava ka thënë se zhvillimet e ditëve të fundit kanë ngritur shqetësime jo vetëm për Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare dhe kulturën e bashkëjetesës në Kosovë. ”Këto janë pretendime jashtëzakonisht të rënda.
Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”- ka thënë Tërnava. KALLXO.com më raportoi nga dosja e aktakuzës për të akuzuarin tashmë për shpiunazh Fatmir Sheholli.
Një dokument i cilësuar si “Top Sekret 2”, i gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, është një nga provat e përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, përmes së cilës pretendohet se synohej zgjerimi i ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe destabilizimi i vendit.
Sipas aktakuzës, më , Sheholli ia kishte dërguar personit Viktor Makedonija dokumentin, i cili në prapavijë mbante shënimin “CONFIDENTIAL”. Prokuroria pretendon se dokumenti paraqet një plan politik dhe strategjik të fshehtë, ku përfshihen edhe figura me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.
Në bazë të përmbajtjes së dokumentit, sipas Prokurorisë, plani synonte krijimin e një atmosfere në të cilën Kosova do të perceptohej si shtet i radikalizuar dhe ekstremist, duke dëmtuar pozitën e saj ndërkombëtare dhe duke ndikuar në qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj saj.
Dokumenti, sipas aktakuzës, përshkruan një strategji afatgjatë që përfshin financimin dhe ndërtimin e xhamive, zgjerimin e shkollave fetare dhe angazhimin e rrjeteve të personave nga Kosova dhe rajoni. Në të pretendohet gjithashtu se do të synohej përfshirja e personave me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë, si dhe krijimi i ndikimit në komunitetet shqiptare jashtë Kosovës.
Në anën tjetër Mytfiu Tërnava ka thënë se prej kohësh ndaj besimit islam, trashëgimisë dhe rolit të Bashkësisë Islame të Kosovës është zhvilluar, sipas tij, një diskurs mohues dhe denigrues nga individë, grupe dhe shoqata të caktuara.
Tërnava ka theksuar se liria e besimit në Kosovë u mundëson individëve dhe komuniteteve ta shprehin bindjen e tyre fetare, por sipas tij, kjo liri nuk duhet të përdoret për të mohuar besimin e të tjerëve apo për të vënë në dyshim përkatësinë kombëtare të qytetarëve për shkak të bindjeve të tyre fetare.
“Çdo pretendim i paraqitur në publik duhet të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale”- ka deklaruar Tërnava. Sipas tij, nëse dokumenti ekziston dhe është autentik, institucionet duhet të sqarojnë se kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues.
Tërnava është ndalur edhe te përmbajtja e pretenduar e dokumentit. Sipas asaj që është bërë publike, në të Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si një institucion gjoja nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb.
Po ashtu, sipas Tërnavës, në dokument pretendohet se xhamitë dhe medresetë janë ndërtuar apo financuar nga Serbia, ndërsa përmes Bashkësisë Islame të Kosovës synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar”. Myftiu i ka cilësuar këto si “pretendime jashtëzakonisht të rënda” dhe ka kërkuar që ato të mos trajtohen si të vërteta të mirëqena pa u verifikuar përmes fakteve, dokumenteve dhe provave.
Ai ka kërkuar gjithashtu të sqarohet nëse dokumenti, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj. “Nuk kërkojmë trajtim të veçantë dhe as mbrojtje nga përgjegjësia institucionale.
Kërkojmë vetëm që përballë nesh të qëndrojnë faktet dhe provat dhe që i njëjti standard të zbatohet për të gjithë”- ka thënë ai. Tërnava ka deklaruar se Bashkësia Islame e Kosovës nuk kërkon përplasje dhe nuk dëshiron që kjo çështje të shndërrohet në konflikt politik, fetar apo shoqëror.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Prokurorinë Speciale, që çështjen ta trajtojnë përmes procedurave ligjore dhe të garantojnë një proces profesional, të paanshëm dhe të bazuar në fakte.
Sipas tij, duhet të zbardhen autorësia dhe origjina e dokumentit, rrethanat dhe qëllimi i hartimit të tij, autenticiteti, mënyra e përdorimit dhe ndikimi eventual që ka pasur në zhvillimet shoqërore dhe institucionale në Kosovë. “Ajo që kërkojmë është e thjeshtë: e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të bëjë punën e saj”- ka deklaruar Tërnava.
Ai ka theksuar se Bashkësia Islame e Kosovës do të vazhdojë ta mbrojë emrin, kredibilitetin dhe dinjitetin e saj përmes rrugëve institucionale dhe ligjore.
