Vijojnë vatrat e zjarrit në zonën e Vajkalit dhe Qafë-Helmës, në Fushë-Bulqizë, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha me pyje, ah, pisha dhe shkurre. Zjarri është afruar pranë fshatrave Vajkal 1 dhe Vajkal 2, duke rritur shqetësimin për banorët dhe banesat. Prej dy ditësh, operacioni për shuarjen e flakëve po zhvillohet edhe nga ajri me helikopter.
Mëngjesin e sotëm në zonë janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë dhe punonjës të strukturave të emergjencave. Terreni i vështirë malor dhe përhapja e zjarrit po vështirësojnë ndërhyrjen e ekipeve në terren. Forcat e angazhuara po punojnë për izolimin e vatrave dhe ndalimin e përparimit të flakëve drejt zonave të banuara.
Deri tani, zjarri ka dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, ndërsa ekipet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur përhapjen e mëtejshme. Operacioni vijon në terren, me fokus shuarjen e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
