Aeroplani ra 6 mijë metra gjatë turbulencave, 73-vjeçari pëson atak

0%

Më shumë se dy vjet pas turbulencave të forta që goditën një fluturim të Singapore Airlines mbi Mianmar, bashkëshortja e një 73-vjeçari britanik që humbi jetën gjatë incidentit ka nisur procedurat ligjore ndaj kompanisë ajrore. Linda Kitchen, 74 vjeçe, nga Thornbury në Britani, e ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë britanike.

Ajo kërkon, ndër të tjera, mbështetje financiare për trajtimin e dëmtimeve të rënda në shtyllën kurrizore, të pësuara gjatë turbulencave. Linda dhe bashkëshorti i saj, Jeff Kitchen, udhëtonin në maj të vitit 2024 nga Heathrow i Londrës drejt Singaporit.

Gjatë fluturimit, avioni u përball me turbulenca të forta dhe, sipas avokatëve të familjes, humbi rreth 6 mijë metra lartësi në një periudhë të shkurtër. Avioni u devijua më pas drejt Bangkokut, ku kreu një ulje emergjente. Për Lindën, momentet e turbulencave u shndërruan në një situatë që ajo mendoi se mund të përfundonte me rrëzimin e avionit. “Ndihesha sikur avioni po binte.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pashë Kindle-in tim dhe telefonin e Jeff-it në dysheme dhe mendova se avioni po binte jashtë kontrollit.”- ka treguar ajo. Gjatë rënies së menjëhershme të avionit, Jeff ra mbi bashkëshorten e tij, duke bërë që Linda të goditej fort në mbështetësen e krahut të sediljes. Pasagjerët arritën ta lëviznin Jeff-in dhe një mjek që ndodhej në bord nisi përpjekjet për reanimimin e tij.

Pas uljes emergjente në Bangkok, Linda u dërgua në spital, ndërsa Jeff mbeti në avion. Ajo mësoi vetëm dy ditë më vonë se bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë. Sipas familjes, ai kishte pësuar një atak në zemër pas incidentit. Linda qëndroi 10 ditë në spital në Bangkok përpara se të kthehej në Britani. Pas mbërritjes në Bristol, ajo u shtrua sërish në spital.

Edhe pas daljes, dëmtimet e pësuara bënë që ajo të kishte nevojë për ndihmë të konsiderueshme në jetën e përditshme. Avokatja e saj, Anthi Korelidou, e specializuar në çështjet e ligjit të aviacionit, e lidh shkallën e dëmtimeve me forcën e turbulencave gjatë fluturimit.

Familja kërkon përgjigje për mënyrën se si ndodhi incidenti dhe nëse mund të ishin marrë masa të tjera për të kufizuar pasojat. Tashmë, çështja e Linda Kitchen në Gjykatën e Lartë britanike do të shqyrtojë përgjegjësitë lidhur me incidentin, ndërsa 74-vjeçarja kërkon mbështetje për dëmtimet që i kanë ndryshuar jetën dhe përgjigje për vdekjen e bashkëshortit të saj.

Burimi: Bota Sot