Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se vizita e familjarëve të personave të zhdukur, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e familjarëve.
Gara, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se këto ditë për familjarët e personave të zhdukur përfaqësojnë dhimbje të madhe, por njëkohësisht edhe shpresë për identifikimin e të dashurve të tyre.
Tutje, Gara u shpreh se shpreson që sa më shpejt të përfundojë procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura në Kalludër, të cilat, sipas tij, mund t’u përkasin rreth 23 personave të zhdukur. Përfundon gërmimi në Kalludër dhe Jabukë, mbetjet mortore dërgohen për ADN në Hagë “Ka qenë kërkesë e vazhdueshme gjatë këtyre katër javëve të angazhimit në këtë lokacion, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e familjarëve që të kemi edhe këtë lloj bashkëbisedimi por përtej kësaj meqë kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me familjarët të kemi edhe mundësinë e vizitës së përbashkët në lokacion dhe në kuptim të një homazh të përbashkët – këto ditë të punës dhe këto data përkujtimore janë ditë të dhimbjes së madhe për të zhdukurit e familjarët e personave të zhdukur.
Megjithatë, në kuptimin e angazhimit të përbashkët brenda kësaj dhimbjeje familjet po e gjejnë ngushëllimin por edhe shpresën që më të dashurit e tyre mund të identifikohen dhe më të dashurit e tyre do të kenë një varr me emër e mbiemër dhe të kenë një rivarrim të dinjitetshëm”, u shpreh Gara.
“Aktualisht kemi edhe 1,564 persona për fatin dhe vendndodhjen e të cilëve nuk dihet – shpresoj që të kemi sa më shpejt identifikimin e mbetjeve mortore të gjetura në Kalludër që u përkasin rreth 23 personave dhe në momentin që kemi identifikim do të njoftohen familjarët dhe do t’i përditësojmë të dhënat”, u shpreh Gara
