Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë dhe Zvicrës. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë, më 27 gusht është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri shtetasi kosovar H.M.
H.M. kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë shqiptare, nën dyshimin për veprën penale “Vjedhja e rëndë”. Ekstradimi i tij është realizuar përmes pikëkalimit kufitar “Vërmicë”, ku i dyshuari iu dorëzua autoriteteve shqiptare për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 28 gusht, nga Zvicra në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar P.S., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. P.S. dyshohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Ai është sjellë në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku iu dorëzua njësive përgjegjëse të Policisë së Kosovës, përkatësisht Stacionit Policor në Viti, për procedura të mëtejshme ligjore. Policia ka bërë të ditur se këto dy ekstradime janë realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të dy shteteve.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka theksuar se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit, si dhe lokalizimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë Kosovës.
