Një delegacion i kadetëve nga Qendra për Studime Universitare (QSU) e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë në Javën Ndërkombëtare të Kadetëve, e cila është zhvilluar në Akademinë Ushtarake në Dresden të Gjermanisë. Sipas FSK-së, pjesëmarrja është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe forcimit të marrëdhënieve ushtarake ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit në Dresden, kadetët nga vende të ndryshme aleate kanë shkëmbyer përvoja dhe janë njohur me metodat bashkëkohore të trajnimit, doktrinës dhe udhëheqjes ushtarake.
FSK-ja ka vlerësuar se aktivitete të tilla u mundësojnë kadetëve të zhvillojnë edhe diplomacinë mbrojtëse, përmes krijimit të urave të bashkëpunimit dhe besimit me partnerët ndërkombëtarë që në fillim të karrierës së tyre ushtarake.
Sipas FSK-së, pjesëmarrja e kadetëve në këtë aktivitet ndërkombëtar dëshmon përkushtimin për ngritje profesionale dhe për zhvillimin e kapaciteteve sipas standardeve të NATO-s.
