Shpërndaje në: Kuraçao e ka heroin e ri kombëtar. Portieri Eloy Room bëri për vendin e tij të vogël të Karaibeve një nga paraqitjet më të mira në histori të Kupës së Botës. Ai kishte plot 15 pritje përballë një sulmi të pamëshirshëm të Ekuadorit. Ndeshja e luajtur të dielën në mëngjes përfundoi pa gola. Për Kuraçaon është pika e parë në debutim në Botëror.
Edhe Ekuadori e fitoi pikën e parë në Grupin E, ku Gjermania i ka gjashtë pikë e Bregu i Fildishtë tri. “Do të jetë një kujtim i mahnitshëm”, tha Room, që luan për Miamin në kategorinë e dytë të SHBA-së. “Ju nuk mendoni për këtë kur e bëni, por natyrisht se do të jetë diçka që e kujton.
Për mua si portier, ishte ndeshje thuajse e përkryer”. 37-vjeçari Room, që shkëlqeu ndaj Xhamajkës në nëntorin e kaluar për ta dërguar Kuraçaon në Botëror për herë të parë, u kthye në mënyrë historike nga humbja 7:1 ndaj Gjermanisë. Ai i është afruar rekordit për më së shumti pritje në Kupë të Botës. Rekordin e mban Tim Howard i SHBA-së, i cili i kishte 16 pritje ndaj Belgjikës më .
Howardit i janë dashur 120 minuta për këto pritje. Askush nuk i ka bërë 15 pritje në një ndeshje të Kupës së Botës gjatë 90 minutave lojë. “Mendoj se më duhet një shtatore tani”, ka thënë Room duke qeshur. Barazimi mban në garë të dy përfaqësueset, por Ekuadori është në situatë të vështirë para xhiros së fundit. Edhe Kuraçao është me pak gjasa për avancim.
Përfaqësuesja e vogël luan me Bregun e Fildishtë, ndërsa Ekuadori me Gjermaninë. “Ka gjëra në futboll që nuk mund t’i shpjegoni”, ka thënë selektori i Ekuadorit, Sebastian Beccacece. “Ne kemi dashur të fitojmë. Nuk e kemi bërë këtë. Përgjegjësia është e imja dhe i thash ekipit se nëse japim çdo gjë derisa garojmë, atëherë nuk kam ankesa. Do të vazhdojmë të japim gjithçka.
Jemi shumë të bashkuar. Ne jemi si familje. Askush nuk tha se do të ishte e lehtë”. Tifozët e Ekuadorit kanë dominuar në stadium. Kuraçao kishte pak përkrahës në ndeshjen në Kansas City. Mbreti Willem-Alexander i Holandës dhe mbretëresha Maxima ishin në mesin e tifozëve të Kuraçaot. Kuraçao është pjesë e Mbretërisë së Holandës. “Ata madje kanë kërcyer në zhveshtore me muzikën tonë.
Është e pabesueshme që ata e panë këtë ndeshje”, ka thënë Room për vizitën e mbretit dhe mbretëreshës. Ekuadori nuk ka ndalur sulmet, por Room ishte i pakalueshëm. “Për ne nuk është befasi. Jemi mësuar që Eloy të bëjë këto pritje të pabesueshme”, ka thënë mesfushori i Kuraçaot, Tahith Chong.
