Një grup planifikoi sulm me dronë e snajperë në ngjarjen e UFC-së në Shtëpinë e Bardhë

0%

Shpërndaje në: Një grup personash kishin planifikuar sulm me dronë të mbushur me eksploziv dhe snajperë gjatë ngjarjes së UFC-së të mbajtur të dielën në Shtëpinë e Bardhë, por plani u parandalua nga FBI-ja, njoftoi të martën Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Sipas prokurorëve, sulmuesit synonin të godisnin ndërtesat përreth me dronë të pajisur me eksploziv dhe më pas të qëllonin ndaj “objektivave me vlerë të lartë”. Njëri nga të dyshuarit u arrestua javën e kaluar në Ohio, ku hetuesit zbuluan mesazhe të koduara që e lidhnin atë me bashkëpunëtorët e tjerë të dyshuar. Dokumentet gjyqësore thonë se ata kishin shprehur pikëpamje ekstremisht fetare dhe kundër qeverisë. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se “sulmet e planifikuara u ndalën plotësisht”, duke përshëndetur operacionin që u zhvillua në disa shtete amerikane. Të arrestuarit janë identifikuar si Tycen C. Proper (19 vjeç), Bryan Omar Roa (24), Michael Alan Thomas (32), Daniel K. Eskridge (32) dhe Abraham Hermosillo Alvarez (31). Ata u arrestuan në Ohio, Kaliforni, Missouri dhe Nebraska dhe përballen me akuza për komplot për të kryer vrasje. Sipas aktakuzës, plani parashihte që dronët të krijonin panik mes turmës, duke i detyruar njerëzit të largoheshin në drejtimin ku do të prisnin snajperët. Më pas, një “valë e dytë” sulmuesish do të tentonte të depërtonte përmes portave të Shtëpisë së Bardhë. Në aktivitetin e UFC-së, të organizuar në Shtëpinë e Bardhë, morën pjesë rreth 4.300 të ftuar, ndërsa afërsisht 85 mijë persona të tjerë e ndoqën nga afër. Dokumentet gjyqësore lidhur me Alvarezin tregojnë se grupi kishte identifikuar si objektiva të mundshëm presidentin amerikan Donald Trump, zëvendëspresidentin JD Vance, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Elon Musk dhe disa zyrtarë të tjerë të zgjedhur, megjithëse jo të gjithë ishin të pranishëm në aktivitet. Komploti u zbulua falë nënës së Properit, e cila më 10 qershor njoftoi autoritetet lokale pasi ishte shqetësuar nga blerjet e shumta të armëve nga djali i saj dhe komunikimet e tij në internet me një grup që pretendonte se përbëhej nga ish-ushtarakë dhe persona me bindje të forta të krishtera.

Burimi: Koha