Shahini: Prodhimi vendor duhet të jetë model i zhvillimit ekonomik të

0%

Në Suharekë ka nisur simbolikisht vjelja e rrushit të verës, një traditë që çdo vit shënon fillimin e sezonit të prodhimit në një nga zonat më të njohura për kultivimin e rrushit në Kosovë, Aktiviteti u zhvillua në plantacionet e kompanisë “AgroKosova Holding” në Shirokë, ku u theksua rëndësia e mbështetjes së prodhuesve vendorë, rritjes së prodhimit dhe fuqizimit të ekonomisë së vendit.

Përfaqësues të biznesit dhe institucioneve lokale përcollën mesazhin se investimi në prodhim, punësim dhe eksport mbetet thelbësor për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në aktivitet morën pjesë kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, drejtori i “AgroKosova Holding”-ut, Aziz Tafaj, si dhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Shahini tha se Kosova duhet të mbështesë prodhuesit vendorë dhe të krijojë mundësi më të mira për zhvillimin e prodhimit, duke theksuar se rritja ekonomike nuk duhet të mbështetet vetëm në konsum dhe remitenca, por në prodhim, punësim, eksport dhe investime.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“E falënderoj kryetarin Bali Muharremi, i cili suksesin nuk e mat me mandat, por me vepra të njëpasnjëshme që po i lë për qytetarët, për biznesin dhe ne bashkëpunojmë shumë, shumë projekte të përbashkëta, siç është vjelja e rrushit, po ashtu Dita e Qershisë, Festari e shumë e shumë projekte të përbashkëta.

Kosova duhet të mburret me prodhuesit vendorë, duhet t’u afrojë mundësi më të mira për të zhvilluar prodhimin vendor. Ditë më parë Aleanca publikoi një studim të projeksioneve të importeve ku brenda aktivitetit mesatarisht importet do të kalojnë 7.5 deri 8 miliardë euro, kurse deficitet tregtare do të shkojnë në më shumë se 6.5 miliardë euro.

Për të ndaluar këtë deficit të madh tregtar, qeveria duhet të mbështesë ekonominë, prodhuesin, biznesin dhe rritja ekonomike mos të varet nga konsumi dhe dërgesat e mërgatës, por të varet nga prodhimi, nga punësimi, eksporti dhe investimet. Këto janë të qëndrueshme dhe këto do duhet të jenë model i zhvillimit ekonomik të vendit” , ka thënë Shahini.

“Prandaj sot nga këtu kemi ardhur me ju thënë të gjithë konsumatorëve kosovarë se prodhimi vendor, pavarësisht presionit të madh të importit dhe presionit të padrejtë të disa institucioneve që bëjnë mbi prodhuesin, prodhuesi vendor është më i sigurti, është më i qëndrueshmi për zhvillim ekonomik dhe është gjithmonë pranë qytetarit, konsumatorit, sepse prodhuesi është jo vetëm prodhues, por është taksapagues, është ai që hap vendet e punës, është ai që e forcon brandin “Made in Kosova”.

Brandi “Made in Kosova” ka nevojë për mbështetjen e shtetit, për mbështetjen e konsumatorit edhe mbështetjen që duhet të bëjnë bizneset mes vete.

Unë konsumoj prodhime vendore, po ju tradita po vazhdon dhe kjo moto është me qëllim që ky rrush, i cili është më i miri në Ballkanin Perëndimor, të konsumohet, t’ju ofrohet subvencione më shumë për juve, në mënyrë që vitin e ardhshëm ju të keni plantazhe, një plantazh në AgroKosovë, por të kemi edhe më shumë plantazhe që fillojnë biznese të reja, që kultivojnë rrushin, që kanë mbështetje nga shteti dhe nuk kanë pengesa nga shteti, dhe gjithë kjo të jemi të gjithë pjesë e zhvillimit ekonomik kombëtar.

Në emër të Aleancës Kosovare të Biznesit, në emër të gjithë kolegëve, e uroj Kosovën për një fushatë të vjeljes së rrushit të mbarë, juve si prodhues të kultivoni sa më shumë rrush cilësor dhe prodhime të tjera, e ne si konsumatorë t’ju falënderojmë juve për cilësi dhe kualitet ”, tha Shahini.

Kurse, drejtori i “AgroKosova Holding”-ut, Aziz Tafaj, tha se këtë vit vjelja ka nisur më herët se zakonisht, ndërsa theksoi se më 17 gusht ka filluar vjelja e rrushit në plantacionet e kompanisë.

“Si çdo vit, edhe sivjet, në mënyrë tradicionale, ndërmarrja “Agrokosova Holding”, në bashkëpunim me Aleancën Kosovare të Bizneseve dhe natyrisht me praninë edhe të kryetarit të Suharekës, e bën fillimin simbolik, por edhe efektiv të vjeljes së rrushit të verës. Sot ka qalluar dita ku jemi duke vjelë varietetin Pinot Blanc këtu në Shirokë, në plantacionet e “AgroKosovës”.

Është interesante me theksua që çdo vit po vijmë duke eksperimentuar kohën e maturimit të rrushit në Suharekë, edhe sivjet kemi filluar shumë herët. Sot është hapja simbolike, por në realitet kemi filluar më datë 17 gusht. Kjo është rekordi rajonal i fillimit të vjeljes së rrushit. Çfarë do me thënë kjo?

Kjo do me thënë që gjendemi në një territor që mikroklima, që çdo herë theksojmë është ideale, vërtetohet që është ideale për arsye se intenziteti i diellit, i klimës, i ajrit, i ekskursionit termik është i tillë që e maturon më herët se sa çdo vend në rajon rrushin e verës.

Prandaj, edhe një herë ju falënderoj të gjithë juve që jeni prezentë këtu, kryetarin e AKB-së, zotin Shahini, kryetarin e komunës, Bali Muharremaj, të gjithë anëtarët e Aleancës edhe përfaqësues të tjerë të bizneseve. Edhe uroj që ky vit të shkojë mbarë në të gjithë territorin e Kosovës dhe të të kemi një një sukses në vjelje dhe përfundimin e vjeljes” , tha Tafaj.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se mbështetja e bizneseve duhet të jetë një nga prioritetet e qeverisjes lokale dhe asaj qendrore. “Jemi në Komunën e Suharekës, te kompania “AgroKosova Holding”. Dua me falënderuar edhe kryetarin tuaj, kemi zotin Shahini, me anëtarë, me shokë, me miq. Kemi edhe disa musafirë nga Zvicra, nga Maqedonia, faleminderit shumë!

Qëllimi kryesor i qeverisjes komunale edhe nacionale është t’i mbështesim bizneset tona, t’i stimulojmë bizneset tona, t’ju japim kushte më të mira, për arsye se sa më shumë mall, për ne është më mirë.

Jemi në vendin më të mirë në Kosovë, mirëpo edhe kemi rrushin më të mirë, kemi cilësi, kemi kualitet, kështu që po e çojmë një porosi Smajlit, s’ka nevojë me filluar më herët vjeljen e rrushit për arsye se kemi kualitet”, tha Muharremaj.

Burimi: Bota Sot