Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të përcaktuar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke akuzuar mazhorancën dhe qeverinë se kanë krijuar një ngërç institucional dhe se nuk kanë zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi : Refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë dhe i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka vënë seriozisht në rrezik funksionimin demokratik të shtetit dhe respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Që nga 1 gushti 2026, sistemi gjyqësor në vend ka mbetur pa një bazë të qartë ligjore për të justifikuar trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës. Dispozitat ligjore përkatëse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me efekt nga 31 korriku 2026.
Sot, me një akt të paprecedentë, sistemi gjyqësor, përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka përcaktuar pagën e vet, duke marrë përsipër kompetenca që i takojnë ligjvënësit. Ky akt ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e tij dhe mbi ekzistencën e një baze të ligjshme për një vendimmarrje të kësaj natyre.
Krijimi i këtij ngërçi institucional dhe përplasja ndërmjet kompetencave kushtetuese të pushteteve jo vetëm që mund, por edhe duhet të shmangen. Rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë është respektimi dhe zbatimi i plotë, i menjëhershëm dhe pa ekuivok i vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të veprojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë për ta trajtuar dhe zgjidhur këtë çështje. Kjo është edhe më e domosdoshme përballë refuzimit të Këshillit të Ministrave për të përmbushur përgjegjësinë e përcaktuar nga Këshilli i Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë që më .
Mosveprimi i Kuvendit dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës, me pasoja serioze për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Ky qëndrim dëmton rëndë edhe frymën e luajalitetit kushtetues që duhet të udhëheqë marrëdhëniet ndërmjet pushteteve në një shoqëri demokratike.
Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen të zbatohen sipas interesit politik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë rekomandime dhe as mundësi për t’u zbatuar kur i leverdis mazhorancës. Ato janë detyruese. Respektimi i tyre është detyrim kushtetues, jo zgjedhje politike.
