Agjencia e Statistikave e Kosovës publikoi rezultatet e Anketës së ekonomive bujqësore 2025. Doli një rritje e sektorit bujqësor. Sipas raportit, sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore arriti në 420,739.57 hektarë, ose 0.1% më shumë se më 2024. Livadhet dhe kullosat mbeten kategoria kryesore me 51.5% të tokës së shfrytëzuar, ndërsa tokat e punueshme përbëjnë 45%.
Drithërat dominojnë tokën e punueshme me 128,190.63 hektarë, ku gruri mbetet kultura kryesore me 82,633.65 hektarë. Në blegtori, fondi fizik u rrit në 3,956,104 krerë/njësi/koshere, 4.7% më shumë se një vit më parë. Megjithatë, rritja në Njësi Blegtorale ishte vetëm 1.1%, duke treguar se zgjerimi numerik nuk është përkthyer plotësisht në rritje strukturore.
Gjedhet mbeten baza kryesore e sektorit. Prodhimi i qumështit arriti në 360.2 milionë litra, me rritje 12.4%, ndërsa prodhimi i mishit karkas brenda ekonomive bujqësore arriti në 11.5 milionë kilogramë.
