UNICEF-i në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, lansuan sot studimin “Nga qasja digjitale te kompetenca digjitale: Analizë gjithëpërfshirëse e zhvillimit të kompetencave digjitale në sistemin parauniversitar të Kosovës, Udhërrëfyes për Reformën e Arsimit Digjital”.
Në lidhje me këtë projekt kanë folur zyrtarët kompetent nga palët partnere. Ndër ta ishte dhe ministri në detyrë i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu. “Në qendër të transformimit digjital të arsimit nuk duhet të jetë teknologjia, por nxënësi dhe mësimdhënësi.
Qëllimi është që teknologjia të na ndihmojë të kemi arsim më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe që i përgatit të rinjtë tanë për të ardhmen”, tha Jagxhiu.
Në të njëjtën kohë, zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, tha se Udhërrëfyesi Digjital na ofron një bazë të mirë për vendimmarrje për ta kapitalizuar mundësinë e shfrytëzimit në maksimum të digjitalizimit.
“Digjitalizimin e shohim si nevojë të kohës, por edhe si mundësi: mundësi për kapërcim në cilësi, qasje dhe më shumë barazi e gjithëpërfshirje brenda sistemit tonë arsimor” , tha Kryeziu.
Shefja e Zyrës së UNICEF në Kosovë, Veronika Vashchenko, thëksoi se fëmijët dhe të rinjët në vend tashmë po rriten në një botë digjitale, andaj është e rëndësishme që të mos mbaroj digjitalizim vetëm me qasje në teknologji.
“Çdo fëmijë ka nevojë për mundësi për të zhvilluar kompetenca digjitale kritike, i mbështetur nga mësimdhënës që kanë vetëbesim në përdorimin kuptimplotë të teknologjisë dhe nga sisteme arsimore që nxisin mjedise të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe efektive të të nxënit,” tha Vashchenko.
Studimi parasheh se, megjithëse digjitalizimi është prioritet strategjik në arsimin e Kosovës, zbatimi i tij përballet ende me sfida të shumta, si koordinimi i dobët ndërmjet institucioneve, infrastruktura e pamjaftueshme, përgatitja e kufizuar e mësimdhënësve, financimi dhe mungesa e një qasjeje të qartë për teknologjitë e reja, përfshirë Inteligjencën Artificiale.
Raporti vlerëson përpjekjet për harmonizim me standardet evropiane dhe rekomandon forcimin e zbatimit, monitorimit dhe llogaridhënies.
Krejt në fund Udhërrëfyesi shërben si thirrje për veprim të përbashkët mes institucioneve qeveritare, komunave, shkollave, universiteteve, partnerëve zhvillimorë dhe sektorit privat që të investojnë në kompetencat digjitale që do të formësojnë të ardhmen e Kosovës.
