Aktivisti Paulin Maçaj ka reaguar përmes një shkrimi, ku thekson rëndësinë e unitetit kombëtar dhe të lidhjeve të gjakut ndër shqiptarë, pavarësisht përkatësisë fetare. Sipas Maçajt, “e vërteta e madhe e pakundërshtueshme” e shqiptarëve është se besa, gjaku dhe vëllazëria shqiptare kanë qenë dhe mbeten më të forta se çdo ndasi fetare apo përpjekje për të sjellë përçarje nga jashtë.
Ai ngre shqetësimin për ato që i cilëson si përpjekje për të mohuar historinë dhe trashëgiminë shqiptare, duke përmendur pretendimet se kishat katolike shqiptare nuk kanë ekzistuar apo se ato kanë qenë serbe. Maçaj i sheh këto si tentativa për të cenuar rrënjët iliro-arbërore dhe identitetin kombëtar.
Në shkrimin e tij, ai përmend edhe deklarata e dokumente që, sipas tij, denoncojnë projekte të shërbimeve të huaja, përfshirë UDB-në dhe BIA-n, për radikalizim dhe tjetërsim kombëtar.
Shkrim i plotë: Kjo është e vërteta e madhe e pakundërshtueshme e kësaj toke: besa, gjaku dhe vëllazëria shqiptare mbeten përgjithmonë më të forta se çdo ndasi fetare apo orvatje subversive e agjendave të huaja.
Nuk mund të anashkalohen sulmet e atyre që thërrasin për përçarje, që pretendojnë rrejshëm se kishat katolike shqiptare nuk kanë ekzistuar apo i quajnë ato serbe për të mohuar rrënjët tona iliro-arbërore, dhe që përpiqen të fusin zakone të huaja aziatike për martesa brenda fisit duke quajtur të huaj vëllanë e gjakut e vëlla pushtuesin.
Deklaratat dhe dokumentet e publikuara që denoncojnë projekte të shërbimeve të huaja (si UDB/BIA) për radikalizim e tjetërsim kombëtar tregoni qartë se si është tentative për të dëmtuar orientimin tonë kombëtar e perëndimor.
Megjithatë, përballë këtyre planeve shkatërruese, historia jonë përgjigjet me fakte të gjalla: dëshmia e hoxhës nga Shkodra se si katolikët mbrojtën xhaminë e vëllezërit myslimanë, si dhe historia e madhe e faljes së gjakut natën e Shën Mhillit mes Currajve të Epërm e Postribës — ku shtëpia katolike e Zef Mark Milanit i fali gjakun shtëpisë myslimane të Adem Isufit me ndërmjetësimin e bajraktarit Sokol Delia — provojnë se Kanuni dhe nderi ynë nuk e kanë lejuar kurrë shqiptarin me u bërë ortak me armikun e me i kthyer krahët vëllait të vet.
Ne jemi para se gjithash shqiptarë të një brumi, pasardhës të Gjergj Kastriotit e Adem Jasharit — të cilët luftuan vetëm për komb, tokë e liri, e jo për agjenda fetare apo financiare. Feja e vërtetë nuk ushqehet me urrejtje e as nuk i shërben planeve destabilizuese, por udhëheq me lutje, dinjitet e mbrojtje të pastërtisë së fisit tonë.
Duke mbajtur vëllanë e gjakut pranë vetes, si nën dritën e kryqit ashtu edhe pranë minares, ne i lutemi të njëjtit Krijues për ta mbrojtur familjen tonë e për t’u lënë fëmijëve tanë një Shqipëri e një Kosovë të fortë, të lirë e të bekuar përjetë, sepse ne jemi vetëm shqiptarë!
