Dogana e Kosovës ka njoftuar se në Prishtinë është zhvilluar takimi i Drejtorëve të Përgjithshëm të Administratave Doganore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dyja administratave.
Takimi i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, thuhet se u fokusua në forcimin e bashkëpunimit rajonal, lehtësimin e tregtisë dhe avancimin e administrimit modern doganor.
Dogana njofton se në takim u diskutua edhe krijimi i një pikëkalimi të përbashkët në Hanin e Elezit dhe avancimi i bashkëpunimit në Glloboçicë, me synim lehtësimin e lëvizjes dhe reduktimin e pritjeve.
“Një nga temat kryesore ishte bashkëpunimi në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit, ku u diskutua mundësia e krijimit të një pikëkalimi të përbashkët, mbi parimet e kontrollit të integruar, me synim përshpejtimin e lëvizjes së mallrave dhe qytetarëve, si dhe reduktimin e kohës së pritjes dhe procedurave kufitare.
U diskutua gjithashtu për avancimin e bashkëpunimit në pikëkalimin Glloboçicë dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit operacional.”- njofton Dogana e Kosovës. Sipas komunikatës, delegacionet shkëmbyen përvoja lidhur me procesin e integrimit evropian, harmonizimin me Kodin Doganor të Bashkimit Evropian dhe zhvillimin e sistemeve moderne doganore.
Vëmendje e veçantë, sipas Doganës, iu kushtua tregtisë elektronike, deklaratave para mbërritjes dhe përfitimeve të tyre për operatorët ekonomikë. Bashkëpunimi synon forcimin e luftës kundër kontrabandës përmes shkëmbimit të informacionit, të dhënave dhe koordinimit të operacioneve të përbashkëta në kufi.
“Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua forcimit të bashkëpunimit në zbatimin e ligjit, përmes shkëmbimit të informacionit, të dhënave për mallrat me vlerë të lartë dhe deklarimeve të parasë në kufi, si dhe koordinimit të operacioneve të përbashkëta kundër kontrabandës në pikat kufitare dhe zonat e gjelbra.
Bashkëpunimi ndërmjet dy administratave mbështetet në mekanizmat ekzistues të asistencës së ndërsjellë, përfshirë shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe përdorimin e sistemit SEED.”- thuhet në njoftim.
Në përfundim, të dyja administratat “konfirmuan përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave dhe koordinimin e veprimeve, me synim lehtësimin e tregtisë së ligjshme, procedura më efikase dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme”. Burimi: Dogana e Kosovës Komunikatën e Doganës së Kosovës, mund ta gjeni KËTU .
