Të martën, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për “spiunazh” dhe “shantazh” ndaj shtetasit të Kosovës dhe të Serbisë, Fatmir Sheholli.
Ai akuzohet se ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ, siç është ai i Serbisë – BIA – në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës.
Në dosjen e aktakuzës, të cilën e ka siguruar të plotë Klan Kosova, thuhet se Sheholli ka zhvilluar biseda dhe takime të shpeshta me zyrtarin e sigurimit shtetëror serb, Bojan Dimiq. Një pjesë e aktakuzës flet edhe për fjalët e koduara që këta i kanë përdorur në komunikimet mes tyre.
Sipas aktakuzës, në një rast, Sheholli përdor fjalën e koduar “kumbulla”, e cila, sipas rrethanave, i referohet materialeve ose mjeteve financiare të pranuara nga ai përmes Dimiqit.
Kjo pasi, sipas dosjes së aktakuzës, i pandehuri, që gjatë kthimit nga Mitrovica e Veriut më datën 26 shtator, 2025, ku kishte pranuar disa materiale dhe një shumë të parave, rrugës flet në telefon me Dimiqin në gjuhën serbe ku i pandehuri i thotë si në vijim: “Qe bashkëshortja po i bartë.
I ka blerë 7 kg”, citohet nga dosja e Prokurorisë të ketë thënë Sheholli, dhe e vazhdon bisedën me Dimiqin, duke i thonë: “…Dëgjo çka po më thotë bashkëshortja, kur ta marrin tash serbët krejt veriun me ardhë edhe na me jetu këtu…shumë ma e guximshme se unë…”, biseda vazhdon “E kryer.
Kjo fillon të hënën, të martën ti dërgoj krejt, kush e ka dhënë dhe kush ka marrë pjesë…kënaqu ti”. Ndërsa zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiq, i thotë : “Shumë është e rëndësishme, besom”, kurse i pandehuri ia kthen: “Po kënaqu ti bre, do të jetë krejt në rregull”.
Në raportin e përpiluar nga Policia e Kosovës për këtë rast, më datë 8 tetor, 2025, theksohet se bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë të Policisë së Kosovës dhe të një qendre tregtare, konfirmohen lëvizjet e të pandehurit në Mitrovicën e Veriut, ndalimin pranë vendit të caktuar për dorëzim dhe më pas hyrjen në objektin e kësaj qendre tregtare, “duke u përputhur në tërësi të dhënat e monitorimit audio me provat vizuale”.
Mbrëmjen e 26 shtatorit të vitit 2025, Prokuroria thotë se Fatmir Sheholli zhvillon takim me një person të panjohur femër, të cilës i dorëzon një USB me materialin e pranuar dhe diskuton për një angazhim tjetër të propozuar nga Bojan Dimiq, “nga i cili pretendon se do të përfitonte shumën prej 200,000 euro, si dhe ndërmjetësimin për përfitime financiare të personave të tjerë përmes kontakteve të tij me BIA-n serbe, ku i pandehuri i thotë PPF1 (Person Femër e Panjohur-PPF): ‘mja kry ati përmes Bojanit at punën ati shokut tond’”.
Prokuroria thotë se materialeve të siguruara nga BIA, i pandehuri Fatmir Sheholli i referohej me kode, si: “turshi” dhe “kumbulla”.
