Deputeti Vigan Qorrolli ka ngritur pyetje lidhur me mosadresimin me kohë të një rasti të dyshuar të keqpërdorimit financiar prej 2 milionë eurosh në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Qorrolli ka thënë se ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, mund të pyetet pse rasti nuk është proceduar gjatë viteve 2019-2020.
Sipas tij, çështja është adresuar vetëm në vitin 2024, ndërsa Prokuroria Speciale e ka mbyllur rastin si të parashkruar.
Postimi i plotë: Burim Ramadani (ish-inspektor i përgjithshëm i AKI-së nga 2019 deri 2022) mund të pyetet publikisht lidhur me mosadresimin e një rasti të dyshuar të keqpërdorimit financiar nga tre ish-drejtorë të AKI-së (Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi) në vlerë prej 2 milion eurove në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Në një hulumtim të publikuar nga Kallxo com evidentohet ky keqpërdorim. Periudha e trajtuar në këtë hulumtim përfshin vitet 2017-2020. Për vitet 2019 dhe 2020, pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së e ka ushtruar z. Burim Ramadani.
Këto keqpërdorime (siç janë paraqitur në hulumtimin e kallxo com) janë adresuar përmes një inspektimi të veçantë nga AKI në vitin 2024, ndërsa ky raport i inspektimit është dërguar në PSRKS në qershor të vitit 2024.
Meqenëse Prokuroria Speciale e ka mbyllur rastin si të parashkruar për shkak se nga dita kur pretendohet se është kryer vepra penale kanë kaluar më shumë se 5 vite, del se adresimi dhe inicimi me kohë i kësaj çështjeje ka qenë thelbësor. Kjo ngre pyetje serioze lidhur me veprimet ose mosveprimet institucionale në periudhën kur rasti ka mundur të procedohej brenda afateve ligjore.
Duke pasur parasysh se ndër përgjegjësitë e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së përfshihen auditimi, inspektimi dhe hetimi i parregullsive të mundshme, lind pyetja: pse ky rast nuk është referuar në Prokurorinë e Shtetit, veçanërisht për periudhën 2019-2020? Pse nuk janë ndërmarrë veprime institucionale në kohën e duhur?
A është përgatitur ndonjë proces inspektimi apo auditimit lidhur me këtë çështje? Meqë në auditimin financiar këto shuma nuk mund të tejkalohen, cilat janë arsyet që një rast i tillë nuk është adresuar, duke pasur parasysh se mosveprimi ka mundësuar që çështja të përfundojë e parashkruar dhe pa një shqyrtim gjyqësor?
