E ardhmja e Rafael Leaos po kthehet në një çështje gjithnjë e më të komplikuar për Milanin. Klubi italian ka vendosur ta nxjerrë në merkato sulmuesin portugez, por deri tani asnjë prej ofertave të mbërritura nuk ka çuar në një marrëveshje. Një nga mundësitë më konkrete ishte transferimi te Aston Villa.
Të dy klubet kishin arritur një marrëveshje për lëvizjen e portugezit, por gjithçka u ndal nga vetë Leao, i cili nuk dha miratimin për transferimin në Premier League. Situata u përsërit edhe me Al Hilal-in. Klubi saudit ishte i interesuar për shërbimet e sulmuesit, por Leao nuk pranoi as të dëgjonte ofertën, duke e bërë të qartë se Arabia Saudite nuk është një opsion për të.
Në këtë pikë, portugezi duket se ka vetëm dy destinacione të mundshme. Leao dëshiron ose transferimin te Galatasaray në Turqi, ose të qëndrojë në Milano dhe të respektojë kontratën me kuqezinjtë, e cila zgjat edhe dy vjet. Tashmë topi është në fushën e Milanit, që duhet të vendosë nëse do të pranojë ofertën e Galatasarayt.
Ndërkohë, Leao po stërvitet i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës dhe kjo situatë pritet t’i kushtojë edhe mungesën në ndeshjen e radhës të Serie-s A kundër Venezias. E ardhmja e portugezit mbetet e hapur, por një gjë është e qartë: deri tani, është vetë Leao ai që po vendos frenat në çdo tentativë të Milanit për ta larguar.
