Manchester City ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit maroken Ayyoub Bouaddi nga Lille. 18-vjeçari ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me kampionët anglezë, e cila do ta mbajë atë në “Etihad” deri në vitin 2031.
Bouaddi, i cili konsiderohet një nga talentet e rinj më premtues në Evropë, bëri 96 paraqitje me fanellën e Lille para transferimit te City. 18-vjeçari mori vëmendje të madhe edhe gjatë Kupës së Botës të kësaj vere, ku spikati në ndeshjen hapëse të Marokut kundër Brazilit, duke diktuar lojën në mesfushë përballë kundërshtarit.
Manchester City ishte i vendosur për ta siguruar shërbimet e tij dhe, sipas raportimeve, për transferimin e lojtarit ka paguar rreth 100 milionë euro. Klubi anglez e konfirmoi zyrtarisht marrëveshjen përmes një njoftimi. “Manchester City është i kënaqur që ka përfunduar nënshkrimin e reprezentuesit maroken Ayyoub Bouaddi me një kontratë pesëvjeçare, në varësi të miratimit ndërkombëtar”.
“Mesfushori 18-vjeçar i bashkohet ekipit nga skuadra franceze Lille me një marrëveshje që do ta mbajë atë në stadiumin Etihad deri në vitin 2031”, thuhet në njoftimin e Cityt. Edhe vetë Bouaddi ka shprehur kënaqësinë për transferimin, duke e cilësuar kalimin te Manchester City si një ëndërr. “Manchester City është, për mua, klubi më i mirë në botë.
Është një ëndërr të jem këtu dhe të jem në gjendje ta quaj veten lojtar të Cityt”, ka thënë Bouaddi pas nënshkrimit. Drejtori i Futbollit, Hugo Viana, ka vlerësuar “inteligjencën e tij të jashtëzakonshme futbollistike” për një lojtar të moshës së tij, ndërsa Bouaddi pritet të jetë një prej investimeve të rëndësishme të klubit anglez për të ardhmen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
