Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke i cilësuar ato si rezultat të një “lufte intensive hibride” që, sipas tij, po zhvillohet në vend gjatë pesë viteve të fundit.
Gjinovci ka bërë një krahasim mes situatës në veri gjatë qeverisjeve të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt dhe gjendjes së sotme, duke theksuar se atëherë Serbia kishte në veri dinarin, targat, policinë, prokurorët, gjyqtarët, zgjedhjet dhe barrikadat e saj. “Sot asnjë nga këto nuk e ka.
Por një pakicë domethënëse njerëzish besojnë se Kryeministri i sotëm Albin Kurti që i ka ndalë krejt këto, është proserb” , ka shkruar Gjinovci. Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te kundërshtimi politik ndaj Kurtit, por te humbja e lidhjes me realitetin. “Problemi nuk është që nuk e donë Kurtin, por që e kanë hupë lidhjen me realitetin. E pabesueshme dhe e pakuptueshme.
Po qysh ndodhi kjo? ”, është shprehur ai. Gjinovci ka argumentuar se kjo situatë është pasojë e luftës hibride, duke iu referuar edhe përhapjes së lajmeve të rreme dhe ndikimit të tyre në perceptimin e qytetarëve. Sipas tij, shpërndarja e vazhdueshme e dezinformatave krijon konfuzion te publiku dhe dobëson aftësinë për të dalluar faktet nga e pavërteta.
Ai ka paralajmëruar se një pjesë e kësaj propagande mund të përdoret për të krijuar një masë njerëzish të gatshëm për destabilizim, në momentet kur kjo i nevojitet shtetit që sponsorizon luftën hibride.
Duke iu referuar situatës në Serbi, Gjinovci ka thënë se destabilizimi i Kosovës mund t’i shërbejë pushtetit të Aleksandar Vuçiqit për të nxitur ndjenjën e unitetit te qytetarët serbë, në një kohë kur, sipas tij, një numër i madh njerëzish po protestojnë kundër pushtetit atje. Në fund, Gjinovci ka shprehur shqetësimin për humbjen e jetëve dhe ka kërkuar reagim institucional.
“Tashmë kemi humbë shumë njerëz në këtë luftë dhe ky është një moment pikëllimi. Është koha institucionet me ndërhy dhe me vendos rend e rregull ose shoqëria kosovare don me shku në një udhë të errët pa kthim”, ka përfunduar ai.