Më 16 shtator pritet të merret vendimi për të akuzuarit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në një proces që prej vitesh ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Të akuzuarit në këtë proces janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë një lidhjeje direkte në një emisionin, Nasim Haradinaj ka deklaruar se nëse aktgjykimi do të jetë dënues, nuk do të digjet vetëm Kosova, por, sipas tij, e gjithë hapësira shqiptare, duke përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Haradinaj ka paralajmëruar se vendimi i 16 shtatorit pritet të jetë një moment i rëndësishëm dhe me ndikim të gjerë, ndërsa procesi në Hagë vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të ndjeshme politike dhe juridike për Kosovën.
Halilaj: Respekti për luftën e UÇK-së dhe për sakrificën e njerëzve tanë nuk është i barabartë me mbështetjen e kërcënimeve apo të dhunës Lidhur me këtë çështje foli avokati Gazmend Halilaj, për “Bota sot”, i cili theksoi se asnjë vendim gjyqësor nuk mund të përcaktojë fatin e një populli apo të justifikojë dhunën dhe trazirat.
Ai ka kërkuar që Gjykata Speciale të lihet të punojë në mënyrë të pavarur dhe çdo vendim të kundërshtohet vetëm përmes rrugëve ligjore. “Një vendim gjyqësor, nuk përcakton fatin e një populli.
Gazmend Halilaj Paralajmërimet se, në rast të një vendimi dënues nga Gjykata Speciale, Kosova apo hapësira shqiptare mund të “digjen flakë”, duhet të merren seriozisht jo si një mënyrë për të mbrojtur dikë, por si një retorikë që rrezikon të dëmtojë rëndë shoqërinë dhe shtetin.
Asnjë vendim gjyqësor, sado i rëndë apo i dhimbshëm të jetë për dikë, nuk mund të jetë arsye për kërcënime, dhunë, trazira apo përplasje mes qytetarëve. Gjykata duhet të lihet të punojë e pavarur dhe çdo vendim i saj duhet të vlerësohet dhe kundërshtohet vetëm përmes rrugëve ligjore.
Nëse dikush mendon se një vendim është i padrejtë, ekzistojnë avokatët, procedurat e ankimit dhe mekanizmat juridikë. Kërcënimi se “do të digjet Kosova” nuk është argument dhe nuk është mbrojtje e askujt; është presion ndaj drejtësisë dhe rrezik për qytetarët e zakonshëm.
Nasim Haradinaj dhe çdo person tjetër që përdor një gjuhë të tillë duhet ta kuptojë se Kosova nuk mund të mbahet peng nga kërcënimet apo nga frika e dhunës. Askush nuk ka të drejtë ta marrë ligjin në duart e veta dhe askush nuk duhet të mendojë se historia, kontributi në luftë apo pozita politike e vendos dikë mbi ligjin ”, tha ai.
Krahas kësaj, Halilaj ka theksuar se respekti për luftën e UÇK-së nuk duhet të ngatërrohet me mbështetjen e kërcënimeve apo dhunës. Ai ka bërë thirrje për qetësi, respektim të ligjit dhe institucioneve, duke theksuar se Kosova është më e madhe se çdo individ apo grup politik.
“Respekti për luftën e UÇK-së dhe për sakrificën e njerëzve tanë nuk është i barabartë me mbështetjen e kërcënimeve apo të dhunës. Përkundrazi, nëse duam një Kosovë të fortë dhe demokratike, duhet të dëshmojmë se dimë të përballemi edhe me vendimet më të vështira përmes institucioneve dhe ligjit.
Institucionet e Kosovës duhet të jenë të qeta, të vendosura dhe të gatshme të garantojnë rendin dhe sigurinë e çdo qytetari, pa dallim bindjesh politike apo përkatësie. Edhe partitë politike dhe figurat publike kanë përgjegjësi të madhe: në vend që të hedhin benzinë mbi zjarr, duhet të kërkojnë qetësi, respektim të institucioneve dhe shmangie të çdo forme të dhunës.
Qytetarët gjithashtu duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e provokimeve, thirrjeve për përplasje apo propagandës që synon të krijojë frikë dhe urrejtje. Një vendim gjyqësor nuk e përcakton fatin e një populli dhe nuk duhet të shndërrohet në shkak për destabilizimin e një shteti të tërë.
Kosova është më e madhe se çdo individ, më e rëndësishme se çdo grup politik dhe më e fortë se çdo kërcënim. Nëse besojmë në shtetësinë e Kosovës, atëherë duhet të besojmë edhe në ligjin, në drejtësinë dhe në institucionet e saj. Drejtësia mund të diskutohet, mund të kritikohet dhe mund të apelohet, por nuk mund të kërcënohet me dhunë.
Kosova ka nevojë për qetësi, përgjegjësi dhe respekt për ligjin — jo për “flakë”, kërcënime dhe përplasje” – deklaroi ai për “Bota sot”.
Rexhepi: Protesta – rreziku ekziston, sidomos nëse kemi një vendim të rëndë ndaj disa prej ish-krerëve të UÇK-së Kurse, ish-hetuesi dhe analisti Agim Rexhepi ka thënë se deklarata për mundësinë që Kosova dhe hapësira shqiptare të “digjen flakë” nuk duhet të trajtohet thjesht si emocion, por duhet të merret seriozisht nga institucionet.
Megjithatë, ai ka theksuar se kjo deklaratë nuk është provë se do të ketë dhunë apo destabilizim, duke kërkuar që institucionet të jenë të përgatitura për çdo skenar. “Në aspektin politik dhe të sigurisë, një deklaratë e tillë nuk duhet të kalojë si një shprehje e zakonshme emocionale.
Kur një figurë e njohur e veteranëve të UÇK-së thotë se Kosova dhe hapësira shqiptare mund të “digjen flakë”, ajo mund të perceptohet si paralajmërim për trazira, por edhe si retorikë e fortë politike që synon të shprehë pakënaqësinë ndaj një vendimi të mundshëm. Megjithatë, duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm: deklarata nuk është provë se do të ndodhë dhunë.
Nuk do të ishte e drejtë të thuhej paraprakisht se Kosova do të destabilizohet vetëm mbi bazën e kësaj deklarate. Por pikërisht për shkak të peshës së saj, institucionet duhet ta marrin seriozisht dhe të përgatiten për çdo skenar”, tha ai për “Bota sot”.
Po ashtu, Rexhepi ka thënë se protestat janë të mundshme pas një vendimi të rëndë, por ka theksuar se ato nuk duhet të ngatërrohen me dhunën. Agim Rexhepi Sipas tij, problemi lind nëse tubimet shndërrohen në sulme ndaj institucioneve, përplasje apo cenim të rendit publik. “Po, rreziku ekziston, sidomos nëse kemi një vendim të rëndë ndaj disa prej ish-krerëve të UÇK-së.
Por protesta dhe dhuna janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Është e pritshme që një pjesë e qytetarëve të protestojnë, të shprehin pakënaqësi ose të organizojnë tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Kjo, në vetvete, është pjesë e një shoqërie demokratike.
Problemi fillon nëse protesta shndërrohet në: – Sulm ndaj institucioneve; – Kërcënim ndaj gjyqtarëve, dëshmitarëve apo gazetarëve; – Përplasje me Policinë; – Dëmtim të pronës publike; – Përpjekje për të cenuar rendin kushtetues; – Ose mobilizim politik me gjuhë që nxit dhunë.
Pra, nuk duhet të barazohet patriotizmi me dhunën dhe as dhimbja për historinë e UÇK-së me të drejtën për të cenuar rendin publik”, thekson ai. Sa i përket pasojave, Rexhepi vlerëson se një aktgjykim dënues mund të shkaktojë reagime emocionale, tensione politike dhe ndarje shoqërore.
Megjithatë, ai potencon se një vendim i tillë nuk duhet të shihet si fundi i Kosovës, ndërsa reagimi i matur institucional do të ishte vendimtar për imazhin e vendit. “Këtu duhet të jemi realistë.
Një aktgjykim dënues mund të ketë ndikim të madh emocional në Kosovë, sepse procesi lidhet me figurat kryesore të luftës së UÇK-së dhe me një pjesë shumë të rëndësishme të identitetit politik e historik të Kosovës. Pasojat mund të shfaqen në disa nivele. – Së pari, në planin emocional.
Mund të ketë zemërim, zhgënjim dhe ndjenjë padrejtësie tek një pjesë e qytetarëve. – Së dyti, në planin politik. Vendimi mund të shfrytëzohet nga parti të ndryshme për mobilizim politik, sidomos nëse krijohet përshtypja se institucionet e Kosovës nuk po reagojnë mjaftueshëm. – Së treti, në planin shoqëror.
Ekziston rreziku i ndarjeve edhe më të mëdha ndërmjet atyre që e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë dhe atyre që insistojnë se vendimi duhet respektuar pavarësisht se kush dënohet. – Së katërti, në raport me partnerët ndërkombëtarë. Një reagim institucional i matur dhe pa dhunë do ta forconte pozitën e Kosovës.
Në të kundërtën, incidente të dhunshme do të dëmtonin seriozisht imazhin ndërkombëtar të vendit. Duhet kujtuar gjithashtu se Gjykata Speciale tashmë ka dhënë aktgjykime ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Në rastin e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, dënimet u konfirmuan pjesërisht në apel dhe më pas ata i përfunduan dënimet në dhjetor 2024.
Kjo tregon se një aktgjykim i Speciales, sado i rëndë politikisht, nuk duhet të trajtohet si fundi i shtetit apo i historisë së Kosovës”, shprehet më tej ai. Në fund, Rexhepi ka theksuar se institucionet duhet të garantojnë të drejtën për protestë, por të mos tolerojnë dhunën.
Sipas tij, Policia duhet të jetë e përgatitur për të parandaluar incidentet, ndërsa liderët politikë dhe veteranët duhet të luajnë rol stabilizues dhe të shmangin çdo gjuhë që mund të nxisë përplasje. “Këtu, sipas meje, qëndron përgjegjësia më e madhe. Institucionet e Kosovës duhet të japin një mesazh të qartë: E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna nuk është e pranueshme.
Policia dhe institucionet e sigurisë duhet të kenë plane parandaluese, por jo të krijojnë atmosferë frike. Duhet të identifikohen paraprakisht pikat potencialisht të ndjeshme, të parandalohet provokimi dhe të ruhet siguria e institucioneve dhe qytetarëve. Në të njëjtën kohë, liderët politikë duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm me fjalorin.
Ata duhet të kenë të drejtë ta kritikojnë aktgjykimin, të kërkojnë apelim dhe të shprehin solidaritet me të akuzuarit, por nuk duhet të përdorin gjuhë që mund të interpretohet si thirrje për përplasje. Edhe veteranët e UÇK-së dhe familjarët e ish-krerëve duhet të luajnë rol stabilizues.
Pikërisht njerëzit me autoritet moral në këtë çështje kanë mundësi më të madhe që emocionin ta kthejnë në protestë demokratike dhe jo në konflikt” – përfundon ai për “Bota sot”.
