​Visar Zhiti: Panairi në Prishtinën e librit “që hap botën”

0%

…botues shqiptare të të gjitha trevave e përreth, vizitorë të shumë, lexuesit, pra, mes tyre dhe shkrimtarë, mbushin Panairin e Librit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me moton: “Libri hap botën”… – lexoj dhe ngazëllehem. Ndjej se jam dhe unë në Prishtinën e dashur, ja, ashtu si libër a si shpirt…

Në stendën “Onufri” të Tiranës, mes botimeve më të reja, janë dhe libra të mi, romanet “Në kohën e britmës” dhe “Këpuca e aktorit”, përmbledhjet me poezi “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” dhe “Dritë që ecën zbathur”, po kështu dhe në botimet e Prishtinës, “Buzuku” ka nxjerrë vëllimin tim me poezi “Si është Kosova”, ndërsa “Koha” romanin “Funerali i pafundmë”, i cili sapo ka dalë dhe anglisht në SHBA… …dhe s’kam si të mos kujtoj që SHBA me NATO-n u futën në Kosovë që të ndalnin atë eksod të madh si në Bibël, pushtuesi serb me dhunë e mizorira po i përzinte nga shtëpitë e tyre shekullore shqiptarët e Dardanisë, UÇK-ja po derdhte gjakun për çlirim…

Ato ngjarje të mëdha nuk janë vetëm në kujtesën e re kolektive, por dhe në libra, në poezi e romane, edhe në këtë Panair të Prishtinës. Edhe në librat e mi, po t’i hapësh, do të dalin personazhe nga Kosova, ndoshta dhe po enden nëpër panair…

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dhe më ndërmendet Panairi i Parë menjëherë pas Luftës në Prishtinë, shkova dhe unë dhe pashë që Kosova ashtu si gërmadhat e shtëpive, po ringrinte ëndrrën, që nuk bëhet gërmadhë. Dhe shkruaja poezi: MIRËMBRËMA PRISHTINË Sa e kam e pritur këtë natë të hyjë mes netëve të mia. Dua dy cigare nga ty për gëzimin dhe dhimbjen time bashkë. Ku ta ndez, në yllin tënd më të bukur të shpirtit?

Sa të mëdhenj dhe sa afër janë yjet e tu, Prishtinë! Mund të ul një degë qiellore dhe t’i mbledh një nga një si qershitë, si bekimet. Cigaren tjetër do ta ndez te qiriri yt i jetës, që të mos më mungojë më nata jote, Prishtina ime. Prishtinë, 16. 11. 1999 GËRMADHAT DHE LIBRI Gërmadhat e luftës në Prishtinë – të zymta sikur janë rrëzuar grumbuj resh dhe kanë shtangur.

Ylberi i këputur, i shkrumbuar, është harku fiksion i një ure guximesh. Pak më tej u hap Panairi Kombëtar i Librit. Telat me gjëmba në kufi ranë vetvetiu, vallja e tyre skeletike mbaroi. Kadmi i pellazgëve mbërriti. Pa asnjë ndërprerje fjalia e librit në Tiranë vazhdon në fletën tjetër tê librit në Prishtinë si flatra te flatra.

Por piedestalet janë bosh. të vëmë librin, atë të shpuarin nga plumbat që iu përgjakën fjalët. Librin e parë “Mesharin”, se prej këndej vinte Buzuku. Të gdhendim shkronjat shqipe mbi gur dhe mbi lëkurët tona si në pergamenë të gjallë. Ne, që s’mundëm të jetojmë, nuk do të mundim as të vdesim. Dyert janë të hapura si një libër. Nën gërmadha gjithmonë regëtin një dëshirë.

Etosi më lë një autograf me të kuq buzësh mbi pjatën time të bardhë. Nga libri “Si është Kosova”, “Buzuku”, Prishtinë, 2014. Dhe kopjet e para të librit m’i solli im bir, Atjoni, kthehej nga një takim i Parlamentit Europian të të Rinjve në Barcelonë, por ndali në Prishtinë. Ai ishte dhe autori i ballinës së librit.

Shoh se të gjithë botimet e mia në këtë Panair kanë në kopertinë piktura të tij. Jemi dhe ne, pra, aty, atë e bir…

Burimi: Bota Sot