Irani dhe Omani kanë arritur një marrëveshje për krijimin e një korridori të përkohshëm lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit, pas rreth 40 ditësh negociatash. Marrëveshja synon të lehtësojë lëvizjen e anijeve në një nga rrugët detare më strategjike në botë.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se korridori do të jetë rreth 11 kilometra i gjerë dhe se hyrja, si edhe një pjesë e daljes, do të kalojnë përmes ujërave territoriale iraniane. Megjithatë, Gharibabadi theksoi se marrëveshja nuk nënkupton rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas tij, aktivizimi i korridorit të ri lidhet me mbylljen e një rruge jugore të hapur nga Shtetet e Bashkuara. Ministria e Jashtme e Omanit bëri të ditur se ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Badr Albusaidi dhe Abbas Araghchi, kanë diskutuar një “kornizë me faza”, e cila përfshin krijimin e korridorit të përbashkët të përkohshëm dhe një plan të përbashkët për çminimin e ngushticës.
Negociatat do të vijojnë në nivel teknik për përcaktimin e një korridori të përhershëm, menaxhimin e ardhshëm të ngushticës dhe garantimin e shërbimeve të navigimit dhe sigurisë. Të dyja palët kanë theksuar gjithashtu nevojën për konsultime me vendet e tjera të Gjirit, me synim arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Marina e SHBA-së e ka informuar se të gjitha minat në Ngushticën e Hormuzit janë hequr. Trump paralajmëroi se çdo përpjekje për vendosjen e minave të reja do të përballet me një përgjigje të menjëhershme ushtarake.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po përdorin kapacitetet hapësinore për monitorimin e vazhdueshëm të zonës, duke paralajmëruar një politikë “zero tolerancë” ndaj çdo përpjekjeje për minimin e ngushticës.
