KFOR-i ka njoftuar se aktualisht është duke kaluar nëpër një proces të optimizimit të pranisë dhe pozicionimit të tij, siç u njoftua më . Në kuadër të kësaj, kalimi gradual nga prania e përhershme e KFOR-it në Urën mbi Ibër është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë.
“Vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në Urën e Mitrovicës bazohen në vlerësimin tonë të situatës së sigurisë”- tha admirali George Wikoff, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli. “KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo.
Këtë duhet ta përcaktojnë BE-ja dhe institucionet përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij në këtë urë”- shtoi ai Ai theksoi se personeli i KFOR-it do të vazhdojë të jetë i pranishëm në zonat përreth. KFOR njoftoi se procesi i optimizimit po zhvillohet në mënyrë transparente, të qëndrueshme, të kalibruar dhe graduale.
KFOR ka thënë se ky proces është në koordinim të ngushtë me institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare, si BE-ja, si dhe me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë- EULEX. “KFOR-i po angazhohet rregullisht me të gjitha palët e interesuara lidhur me këtë proces, përfshirë partnerët lokalë, si dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.
Procesi mund të rikthehet mbrapsht, nëse zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal e bëjnë këtë të nevojshme”- thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Gjeneralmajor Özcan Ulutaş, Komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, tha se përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë është i palëkundur, siç dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit në terren, përfshirë patrullimet e rregullta, pikat e vëzhgimit dhe angazhimet me komunitetet lokale “Si gjithmonë, aktivitetet tona të përditshme do të zhvillohen duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve”- tha ai.
Ky mision ka njoftuar se prania e KFOR-it do të rritet në disa zona, përfshirë, pjesën veriore të Kosovës. “Zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të KFOR-it.
Megjithatë, KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.
Policia e Kosovës është një institucion vendor i ligjshëm për zbatimin e ligjit, origjina institucionale e të cilit rrjedh nga kuadri policor i krijuar nën autoritetin e UNMIK-ut, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”- thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Në njoftim thuhet gjithashtu se kapacitetet dhe përgjegjësitë e saj janë zhvilluar brenda këtij kuadri dhe sot Policia e Kosovës vepron si reaguesi i parë në çështjet e zbatimit të ligjit civil dhe sigurisë publike.
“Ky rol i Policisë së Kosovës ekziston që para procesit aktual të optimizimit të KFOR-it, i cili nuk përbën transferim të mandatit apo përgjegjësive të KFOR-it te Policia e Kosovës”- përfundon njoftimi. Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.
Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike. Më , KFOR njoftoi se ka filluar largimin gradual nga ura mbi lumin Ibër.
Ata kanë thënë se kjo është bërë në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.
Pas raportimit për kalim gradual të monitorimit të urës së Ibrit nga trupat e KFOR-it te Policia e Kosovës, më , Bashkimi Europian ka deklaruar se nevojitet ende përmirësim në koodinim dhe konsultime mes komunave dhe nivelit qëndror (për hapje të çdo lloj qarkullimi).
Në një përgjigje për KALLXO.com nëse janë plotësuar kushtet për hapjen e Urës së Ibrit, një zëdhënës i BE-së ka deklaruar se pas transferimit të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve lokale, “koordinimi efektiv dhe konsultimet domethënëse ndërmjet komunave të përfshira dhe institucioneve në nivel qendror duhet të përmirësohen”.
“Qëndrimi i BE-së lidhur me urën ka qenë gjithmonë i qartë dhe është udhëhequr nga nevoja që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve dhe komunave që ajo lidh, si dhe të kontribuojë në bashkëpunimin dhe marrëdhënie të mira mes tyre”- ka thënë BE më . BE ka shtuar se të gjitha vendimet lidhur me urën duhet të marrin parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve.
“Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”- ka shtuar më tej BE. Serbia ka kundërshtuar planet e KFOR-it për reduktimin e pranisë mbi këtë urë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet.
“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”- shkroi Vuçiq në Instagram më .
Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.
Më , kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.
“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë.
Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimin e pranisë së KFOR-it si “kërcënim për komunitetin serb” apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, “nuk përputhen me realitetin në terren”.
Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Në Mitrovicë , më , u vu guri i themelit për dy ura të reja mbi lumin Ibër , me një kosto prej afro 3 milionë euro. Të dyja janë lëshuar për qarkullim.
Njëra prej tyre është lëshuar për qarkullim për vetura dhe këmbësorë në fund të gushtit 2025 kurse tjetra në dhjetor 2025.
