Shkëndija nga Tetova zyrtarisht ka bërë të ditur ndryshimet në strukturat drejtuese të klubit. “Valdrin Uka merr detyrën e Menaxherit Gjeneral, ndërsa Departamenti Sportiv do të drejtohet nga Erhan Selimi dhe Festim Ademi. KF Shkëndija njofton për ndryshime në strukturën menaxheriale dhe Departamentin Sportiv të klubit.
Të gjithë drejtuesit e emëruar janë pjesë prej kohësh e strukturave të Shkëndijës dhe emërimet e reja paraqesin avancim në detyrë, duke konfirmuar besimin e klubit në kuadrot e përgatitura brenda organizatës. Valdrin Uka emërohet Menaxher Gjeneral i klubit. Me këtë rol, ai merr përgjegjësi të reja në drejtimin dhe menaxhimin ekzekutiv të KF Shkëndija.
Ndryshime pëson edhe Departamenti Sportiv. Erhan Selimi, i cili deri tani kishte detyrën e Drejtorit të Shkollës së Futbollit, emërohet Drejtor Sportiv, ndërsa Festim Ademi merr pozitën e Drejtorit Teknik të Departamentit të Sportit.
Selimi dhe Ademi do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do të mbajnë përgjegjësi të përbashkëta në menaxhimin e çështjeve sportive, me synim forcimin e strukturës, balancimin e organizimit dhe mbarëvajtjen e klubit në periudhën që pason.
Ndryshimet janë pjesë e vazhdimësisë dhe zhvillimit të strukturës së klubit, me synimin që KF Shkëndija të vazhdojë të ndërtojë, zhvillojë dhe promovojë kuadro të përgatitura për përgjegjësitë më të rëndësishme drejtuese”, thuhet nga Shkëndija.
