Ushtruesja e detyrës së Shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës gjatë të cilave u ka përcjellur mesazhin për sundimin e ligjit dhe karakterin shumetnik.
Në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë thuhet se në takimin që e zhvilloi me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është thënë se BE-ja pret që çdo dyshim për sjellje jo të duhur të policëve të hetohet sipas procedurave ligjore.
“BE-ja pret që pretendimet për sjellje të pahijshme nga Policia e Kosovës të hetohen dhe që çfarëdo rrënim të kryhet duke respektuar procedurat e rregullta ligjore”- thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë më . Kjo thirrje vjen pas rastit të qytetarit serb nga fshati Dren i Zubin Potokut, i cili tha se është rrahur nga policë të Kosovës gjatë një aksioni.
Disa ditë më vonë, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar dy policë për tejkalim të autorizimeve policore në lidhje me këtë rast. Ndërsa pjesa e rrënimit, e përmendur nga Zyra e BE-së në Kosovë, lidhet me rrënimet buzë Liqenit të Ujmanit që janë zhvilluar gjatë muajit korrik 2026. Përmes një njoftimi, Zyra e BE-së në Kosovë kishte kërkuar ndërprerjen e rrënimeve.
Në këtë njoftim potencohet se BE-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe se Kosova duhet ta bëj pjesën e saj. Në të njëjtën ditë, Palatova në një takim lamtumirës me Zëvendëskryeministrin/Ministrin e Punëve të Jashtme në detyrë Glauk Konjufca, tha se rruga e Kosovës drejt BE-së kërkon formimin e institucioneve e forcimin e sundimit të ligjit.
Në këtë njoftim thuhet se Palatova inkurajoi vazhdimin e harmonizimit të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për këtë takim, thuhet se Konjufca e falënderoi Palatovën për angazhimin, bashkëpunimin dhe kontributin e saj në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Në takim u theksua rëndësia e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me BE-në në fushat me interes të përbashkët”- thuhet në njoftim. Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi diplomatin gjerman, Dirk Schubel, si përfaqësues të ri të posaçëm të BE-së për Kosovën.
Ai do ta marrë detyrën më , me mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar estonezin Aivo Orav. Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS. Në mars 2026 i përfundoi misioni ambasadorit Aivo Orav në Kosovë.
Që nga ajo kohë, Eva Palatova e ka mbajtur pozitën e ushtrueses së detyrës së Shefes së BE-së në Kosovë.
