Pavarësisht se Real Madrid nuk ka arritur ta transferojë mesfushorin Rodri, trajneri, Jose Mourinho, ka deklaruar se është shumë i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion dhe se për të merkato e klubit madrilen ka përfunduar. Real Madrid ka bërë ndryshime të mëdha në skuadër gjatë kësaj vere, duke transferuar gjashtë futbollistë të rinj.
Në mesin e përforcimeve janë Yan Diomande, Bernardo Silva dhe Marc Cucurella. Megjithatë, madrilenët nuk kanë arritur ta finalizojnë transferimin e Rodri, i cili iu bashkua skuadrës rivale të Barcelonës. Kjo do të thotë se, përveç Bernardo, i cili erdhi nga Manchester City, Real Madrid nuk ka bërë përforcime të tjera të rëndësishme në repartin e mesfushës.
“Për mua, skuadra është e mbyllur, por merkato është ende e hapur. Asnjëherë nuk i dihet, sepse mund të vijë një lojtar dhe të thotë: ‘Kam qëndruar dy herë në stol dhe dua të largohem’”, ka deklaruar Mourinho para gazetarëve. Ai ka theksuar se në parim nuk pret më transferime. “Në teori, jo. Por gjithmonë mund të ndodhë diçka.
Në mendjen time, skuadra është e mbyllur dhe nuk kam kërkuar askënd. Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam”, ka thënë trajneri portugez. Real Madrid ka pasur vështirësi për ta kontrolluar lojën në mesfushë që nga largimi i Luka Modric në vitin 2024 dhe Toni Kroos në vitin 2025. Skuadra e Mourinho e nisi sezonin në La Liga me një fitore të vështirë 2:1 ndaj Espanyol në fundjavë.
Në mesfushë, Mourinho aktivizoi së bashku Bernardo dhe Federico Valverde. Real Madrid do të përballet të mërkurën me Real Sociedad, por Aurelien Tchouameni nuk do të jetë ende i gatshëm për të luajtur. Mourinho ka shpjeguar se mesfushori francez ka ende probleme fizike dhe se klubi nuk dëshiron ta rrezikojë me rikthimin e tij të parakohshëm. “Ai ka një problem.
Koha e pushimeve nuk ishte e mjaftueshme që të rikuperohej. Duke parë që ndeshjet po afroheshin, lojtari dëshironte të provonte, por ne vendosëm se nuk mund ta fillosh sezonin duke vuajtur”, ka shpjeguar Mourinho. “Mund ta përfundosh sezonin duke vuajtur, në muajt e fundit, por nuk mund ta nisësh në gusht pa qenë 100 për qind i gatshëm.
Prandaj, bashkë me lojtarin, stafin dhe departamentin mjekësor, vendosëm që ai të rikthehet vetëm kur të jetë plotësisht i gatshëm”, është shprehur portugezi.
Trajneri portugez ka thënë se ka besim të madh te Federico Valverde, duke e konsideruar uruguaianin si një lojtar të mesfushës, pavarësisht se në të kaluarën është përdorur edhe në pozita të tjera, përfshirë krahun e djathtë të mbrojtjes dhe sulmit. “Për mua, ai është lojtar i qendrës së fushës.
Varësisht nga kundërshtari dhe objektivat tona, ai mund të ketë një rol më të fiksuar ose të jetë më i lirë në lëvizje”, ka thënë Mourinho. Sipas tij, në futbollin modern pozicionet klasike kanë gjithnjë e më pak rëndësi gjatë zhvillimit të lojës. “Nuk dua ta identifikoj Tchouameni si numrin 6, Camavinga si numrin 6, Feden si numrin 8 apo Bernardon si numrin 10.
Gjatë ndeshjes, këto role ndryshojnë dhe përzihen”, k a theksuar Mourinho.
