Vizita e Vuçiqit në Luginë – punësimi në BIA nuk mund të jetë

0%

Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në jug të Serbisë, se një qytetar ose djali i tij do të kontaktohej brenda 48 orësh nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) për mundësi punësimi, është një deklaratë që meriton vëmendje serioze dhe analizë përtej dimensionit të saj individual.

Nuk e kontestoj të drejtën e çdo qytetari për të kërkuar punë dhe për të ndërtuar një jetë dinjitoze në vendin e tij. Përkundrazi, puna është e drejtë elementare e qytetarit dhe shteti duhet të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë.

Problemi qëndron te mënyra se si kjo mundësi paraqitet: kur presidenti i shtetit, drejtpërdrejt dhe publikisht, premton se një person do të kontaktohet nga një agjenci e sigurisë për punësim brenda 48 orësh, atëherë çështja merr një dimension të qartë politik dhe institucional, qartësisht antishqiptar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

BIA nuk është një ndërmarrje private dhe as një zyrë komunale ku punësimi mund të premtohet në një takim me qytetarë. Është institucion i sigurisë së shtetit. Vetë BIA thekson se puna në këtë institucion kërkon cilësi dhe karakteristika të veçanta profesionale dhe zhvillohet përmes procedurave të posaçme të rekrutimit.

Prandaj, pyetja që lind natyrshëm është: a duhet të jetë meritokracia kriteri i parë i punësimit, apo lidhja personale me pushtetin dhe përkatësia kombëtare duhet të jetë domosdoshmërisht serbe në një mjedis ku 95% janë shqiptarë?

Kjo çështje bëhet edhe më e ndjeshme në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët për dekada kanë ngritur shqetësimin për përfaqësimin e pamjaftueshëm dhe diskriminimin në institucionet shtetërore, veçanërisht në strukturat e sigurisë, administratës dhe institucioneve publike.

Në këtë kontekst, një premtim i drejtpërdrejtë për punësim në BIA mund të perceptohet si instrument i ndikimit politik dhe si një mesazh i pacipë ndaj shqiptarëve se në Serbi dhe BIA ka vend vetëm për serbët!

Por këtu qëndron edhe paradoksi më i madh: Në Luginën e Preshevës, shqiptarët përballen me papunësi, varfëri, mungesë investimesh dhe një proces të vazhdueshëm të largimit të të rinjve. Shqiptarët nuk largohen nga vendlindja sepse nuk e duan Preshevën, Bujanocin apo Medvegjën, por largohen sepse nuk shohin perspektivë ekonomike dhe profesionale.

Serbia, si shtet diskriminues dhe fashist, i detyron qytetarët joserbë që të zgjedhin ndërmjet emigrimit dhe mbijetesës. Prandaj, pyetja ime është: ku është shteti kur bëhet fjalë për punësimin e të rinjve shqiptarë? Ku është reagimi institucional kur një i ri shqiptar aplikon për një vend pune në polici, ushtri, administratë, gjyqësi, ndërmarrje publike apo institucione të sigurisë?

Nëse një telefonatë nga presidenti mund ta përshpejtojë një mundësi punësimi për një qytetar, atëherë shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë që i njëjti shtet të garantojë mundësi të barabarta për çdo qytetar, pa dallim etnie. Nuk kërkojmë privilegje për shqiptarët. Kërkojmë barazi! Nuk kërkojmë vende pune si dhuratë politike. Kërkojmë konkurrencë të ndershme dhe meritokraci!

Nuk kërkojmë që Beogradi të na “shpëtojë”! Kërkojmë që institucionet e Republikës së Serbisë të mos na diskriminojnë! Kjo është thelbësore edhe për stabilitetin e vetë shtetit të Serbisë. Një politikë e qëndrueshme në Luginën e Preshevës nuk mund të ndërtohet mbi patronazhin politik, premtime individuale dhe marrëdhënie të drejtpërdrejta klienteliste.

Ajo duhet të ndërtohet mbi institucione funksionale, përfaqësim proporcional, zhvillim ekonomik dhe mundësi të barabarta për shqiptarët dhe serbët. Në këtë kuptim, deklarata e Vuçiqit përcjell një mesazh shqetësues: se presidenti mund të ndërhyjë personalisht për të hapur një derë institucionale që për qytetarin e zakonshëm duhet të hapet përmes një procedure të rregullt.

Kjo krijon përshtypjen se shteti funksionon vetëm për serbët si komunitet që kanë qasje të jashtëzakonshme te pushteti, kurse shqiptarët injorohen dhe diskriminohen pafundësisht, duke mos ua njohur diplomat e fituara në Kosovë, duke ua fshirë adresat dhe duke bërë spastrimin etnik të Luginës me masa administrative e policore.

Dhe kjo është pikërisht ajo që shqiptarët e Luginës nuk duhet ta pranojnë si normalitet! Unë nuk jam kundër punësimit të asnjë qytetari serb. Përkundrazi, çdo i ri serb që gjen punë dhe mbetet në vendlindjen e tij është një qytetar më pak që detyrohet të largohet. Por e njëjta e drejtë duhet të vlejë edhe për të riun shqiptar.

Shteti duhet ta ndalë emigrimin dhe ta ruajë popullsinë shqiptare dhe këtë duhet ta bëjë me politika jodiskriminuese dhe të barabarta për të gjithë, jo me përzgjedhje etnike apo patronazh politik! Lugina e Preshevës nuk ka nevojë për mëshirë politike nga Beogradi. Ajo ka nevojë për drejtësi institucionale dhe zhvillim ekonomik. Dhe ky është një dallim shumë i rëndësishëm.

Një vend pune nuk duhet të jetë shpërblim për besnikëri politike. Një vend pune në një institucion të sigurisë nuk duhet të premtohet si favor personal. Ai duhet të fitohet me dije, profesionalizëm, integritet dhe procedurë transparente.

Nëse Serbia dëshiron të dëshmojë se është shtet demokratik dhe evropian, atëherë prova më e mirë nuk është ajo që deklarohet në Beograd, por ajo që ndodh në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Shqiptarët e Luginës nuk kërkojnë të jenë të privilegjuar. Kërkojnë të mos jenë të diskriminuar! Kjo është kërkesë qytetare, demokratike dhe evropiane.

Dhe për mua, si shqiptar i Luginës së Preshevës, është edhe një çështje dinjiteti kombëtar: asnjë i ri shqiptar nuk duhet të detyrohet të marrë rrugën e mërgimit vetëm sepse shteti i tij nuk i ka krijuar mundësi të barabarta për të jetuar dhe punuar në vendlindje.

Në fund, shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë: Nëse për një qytetar mund të gjendet një vend pune në BIA brenda 48 orësh, pse për mijëra të rinj shqiptarë nuk mund të gjenden mundësi pune përmes një sistemi transparent, të barabartë dhe meritokratik? Pikërisht këtu duhet të fillojë debati serioz për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Dhe në fund, vlen të theksoj se vizita e papritur e presidentit serb Aleksandar Vuçiq jorastësisht ndodhi menjëherë pas kthimit të liderëve politikë shqiptarë nga vizita e tyre në Shqipëri, lidhur me hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc, si pjesë e reciprocitetit të hapjes së Konsullatës së Serbisë në Shkodër, që realisht më duket se do të jetë më shumë e dëmshme sesa që do të kemi dobi prej saj, duke marrë parasysh numrin e shqiptarëve në Luginë, mbi 130.000, krahasuar me 160 serbë dhe malazezë që zyrtarisht jetojnë në Shkodër dhe rrethinë.

Prandaj, vizita e Vuçiqit duket se ishte edhe një mesazh i pasinqertë dhe i shëmtuar diplomatik!

Burimi: Bota Sot