Haxhiu ngushëllon familjen Kryeziu: Me vdekjen e tij, Kosova humbi

0%

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Prizrenit, Eqrem Kryeziut. Në telegramin e ngushëllimit, Haxhiu e ka cilësuar Kryeziun si një intelektual dhe veprimtar të shquar, i cili për më shumë se pesë dekada e kishte lidhur jetën e tij me librin, arsimin dhe dijen.

“Me vdekjen e tij, Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar të një brezi që angazhimin për vendin e ndërtoi mbi dije dhe përgjegjësi”, thuhet në telegram. Ajo ka theksuar se Eqrem Kryeziu ishte para së gjithash profesor dhe njeri i letrave dhe se për më shumë se pesë dekada jeta e tij ishte e lidhur me librin, arsimin dhe dijen.

“Edhe në politikë mbeti njeri me mendim të vetin, i drejtpërdrejtë në fjalë, me ironi të hollë dhe me një mënyrë të veçantë të të shprehurit, për të cilën publiku e njohu dhe e mbajti mend”, ka thënë ajo.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, emri i Eqrem Kryeziut mbetet veçanërisht i lidhur me Prizrenin, ku për shumë vite ishte pjesë e jetës politike të qytetit dhe të cilin e udhëhoqi si kryetar në vitet e para të qeverisjes lokale të pasluftës. “Kontributi i tij vazhdoi edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, por figura e Eqrem Kryeziut nuk përmblidhet në funksionet që mbajti.

Do të kujtohet si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar me individualitet të spikatur, që la gjurmë në jetën politike e kulturore të Kosovës ”, thuhet në telegram.

Burimi: Bota Sot