Sot në moshën 78-vjeçare ka ndërruar jetë ish-politikani, ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziu. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar takimin e fundit me të në dhjetor të 2025. Ndërron jetë Eqrem Kryeziu “Sot, në moshën 78-vjeçare, ka vdekur Prof. Eqrem Kryeziu. Herën e fundit që u takuam në shtëpinë e tij në Prizren, ishte nga fundi i dhjetorit të vitit 2025.
Diskutuam shtruar e këndshëm për atë ç’ka qenë dhe si është Kosova. Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede.
Përveç si politikan përherë në shërbim të Prizrenit, Eqrem Kryeziu zhvilloi një karrierë të gjatë e dha një kontribut të madh në arsim dhe akademi, si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Ish-kryetari i Prizrenit, deputeti nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë. Libri i tij që ma dhuroi më pas “Poetika e Zef Skiroit” është i jashtëzakonshëm. U prehtë në paqe!”, shkruan Kurti.
