Pas nisjes spektakolare të sezonit të ri në Abissnet Superiore, fitorja 3:0 karshi Tiranës, skuadra e Egnatias e ka hedhur fokusin te ndeshja e kthimit në fazës Play-Off të Europa League. Në prag të ballafaqimit me Lillestrom, klubi rrogozhinas ka bërë postim të veçantë në rrjetet sociale.
Ndërsa shfaqen në varkë të udhëhequr prej kapitenit Albano Aleksi dhe pjesa tjetër e ekipit nga pas, ata vështrohen duke lundruar në stilin “Viking”, bashkangjitur edhe me veshjet tradicionale nordike. Në krye të kësaj varke qendron trofeu i Europa League, kompeticioni që Egnatia dhe Lillestrom do “luftojnë” për një biletë në fazën e grupeve.
Ndeshja e parë e mbajtur në Rrogozhinë përfundoi 1:1, çka lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit në “tokën armike”, Norvegji, e planifikuar më datën 27 gusht..