Shkëndija nga Tetova e fitoi derbin ndaj Struga Trim Lum me rezultat 2:1 dhe mbeti në krye të tabelës me bilanc maksimal. “Kuqezinjtë” nga Tetova, pas katër xhirove, kanë po aq fitore dhe janë liderë me 12 pikë.
Trajneri Artim Pollozhani, pas ndeshjes, bëri analizën e takimit, por njëkohësisht u dërgoi edhe një mesazh lojtarëve të tij se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, diçka që është e rëndësishme në çdo sport pas një rezultati të mirë. “Dua t’u them lojtarëve që të qëndrojnë me këmbë në tokë. Çdo ditë në stërvitje duhet të rriten, sepse futbolli është një proces.
Në çdo ndeshje duhet ta rrisim ritmin e lojës. Sepse, natyrisht, nëse ritmi rritet dhe manovrimi është aty ku duam të jemi, atëherë nuk besoj se mund të kemi probleme. Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse, pavarësisht faktit që kemi katër ndeshje dhe katër fitore, kampionati është një maratonë dhe është i gjatë.
Pra, duhet të jemi me këmbë në tokë si lojtarë, staf dhe padyshim edhe drejtues. Sa i përket kushteve, padyshim që është e domosdoshme të kemi një fushë që ju mundëson të luani me freski, madje edhe nën projektorë. Dua t’u falënderoj tifozëve që ishin të pranishëm, sigurisht edhe ‘Ballistëve’, për të cilët nuk kam asnjë dyshim se ishin aty, por kishte edhe tifozë të tjerë.
Ajo që kërkojmë që nga momenti i parë është fusha, sepse nëse keni manovrimin që ju lejon fusha, atëherë gjithçka bëhet më e lehtë.” Pollozhani, në anën tjetër, kishte përballë ekipin që vjen nga qyteti i tij i lindjes. Ai tha se nuk kishte ndonjë emocion të veçantë për shkak të kësaj, pasi ishte i fokusuar vetëm te ndeshja: “Të jem i sinqertë, nuk është se kisha emocione.
Sigurisht, kam emocione për Shkëndijën, sepse një pjesë të madhe të karrierës sime e kam kaluar këtu. Natyrisht, e respektoj klubin e qytetit tim. Ata kanë bërë mirë në futbollin maqedonas gjatë viteve të fundit, por them se nuk kisha emocione, thjesht isha i fokusuar te ndeshja. Sepse ishte ende e vështirë.
Disa lojtarë që janë pjesë e formacionit mungonin, por do ta përsëris edhe një herë se jam jashtëzakonisht i kënaqur me ata që sot dhanë maksimumin e tyre, sepse nuk ishte aspak e lehtë.” Në xhiron e ardhshme, Shkëndija do të luajë një tjetër derbi, këtë herë në transfertë ndaj Sileksit..
