Në Kosovë janë regjistruar 147 raste me fruth nga deri më . Vetëm javën e fundit janë konfirmuar 10 raste të reja. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka thënë se krahasuar me vitin 2025, këtë vit ka dyfishim të rasteve me fruth.
Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me 49 raste; Fushë-Kosovë me 35 raste; Ferizaj me 13 raste; Obiliq me 9 raste; Lipjan me tetë raste; Kaçanik me shtatë raste; Vushtrri dhe Shtime me nga katër raste; Skenderaj dhe Drenas me nga tre raste; Gjilan, Gjakovë, Shtërpce dhe Deçan me nga dy raste; si dhe me nga një rast komunat: Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.
IKShPK ka theksuar se gjatë 3 javëve të fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit si Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj, kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast janë vaksinuar me MMR gjithsej 504 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.
IKShPK ka rekomanduar që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.
“Vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit, uljen e përhapjes së sëmundjes në komunitet dhe mbrojtjen e shëndetit publik”- thotë IKShPK.
