Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po monitorojnë intensivisht me dron, radar e makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.
Në njoftim bëhet e ditur se ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Gjirokastrës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara dhe kalojnë limitin e shpejtësisë, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës .2026, janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë pezulluar 24 leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 1383 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht: 288 masa për parakalime të gabuara; 449 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 455 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar; 14 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 2 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit; 4 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 171 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore. “Ftojmë qytetarët që të denoncojnë, në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
