Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit dhe ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Eqrem Kryeziut. Abdixhiku e ka vlerësuar Kryeziun si një intelektual të shquar dhe figurë të rëndësishme të LDK-së, duke theksuar kontributin e tij në arsim, politikë dhe ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Postimi i plotë: Kosova sot humbi një intelektual të shquar, një veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.
Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i Presidentit Rugova. Për më shumë se dy dekada udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, shërbeu si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet e kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para e më të vështira të lirisë.
Ishte profesor, intelektual e veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë. LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Në emrin tim dhe të gjithë Lidhjes Demokratike të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit. Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas. Pusho në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për ty!
