Filmi dokumentar britanik në qendër të vëmendjes në edicionin e 25-të

0%

Edicioni i 25-të i DokuFestit ka sjellë një përfaqësim të gjerë të skenës së filmit dokumentar nga Mbretëria e Bashkuar, duke krijuar hapësirë për shfaqje filmash, klasa master, diskutime dhe shkëmbime profesionale mes krijuesve britanikë dhe komunitetit të filmit në Kosovë.

Programi, i mbështetur nga British Council, ka përfshirë regjisorë dhe profesionistë të industrisë britanike, të cilët kanë marrë pjesë në programe të ndryshme të festivalit, përfshirë garat, juritë dhe aktivitetet profesionale. Një nga aktivitetet kryesore ishte programi “Spotlight me Sophie Fiennes”, ku u prezantuan shtatë filma të regjisores britanike.

Fiennes, e njohur për veprat e saj që ndërthurin kinemanë, artin, performancën, filozofinë dhe politikën, zhvilloi edhe një sesion pyetje-përgjigje me audiencën dhe një klasë master në bashkëbisedim me Pamela Cohn. telegrafi.com Në kuadër të festivalit ishte edhe regjisori dhe historiani britanik i filmit dokumentar, Mark Cousins, i njohur për veprat The Story of Film: An Odyssey dhe Women Make Film: A New Road Movie Through Cinema .

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Cousins prezantoi “Historinë e Filmit Dokumentar” dhe zhvilloi një klasë master mbi zhvillimin e kinemasë dokumentare, duke trajtuar edhe mënyrën se si është ndërtuar dhe interpretuar kanoni kinematografik. Krijues britanikë u përfaqësuan edhe në programet garuese të DokuFestit.

Filmi “Derek vs Derek” i James Dawson u prezantua në garën Green Dox, ndërsa “Something Familiar” i Rachel Taparjan garoi në Balkan Dox. Ndërkohë, regjisori skocez dhe fituesi i çmimit BAFTA, Finlay Pretsell, prezantoi filmin Douglas Gordon në seksionin “Pamje nga Bota”.

Pjesë e delegacionit britanik ishte edhe Flore Cosquer, e cila iu bashkua jurisë së Short Dox, si dhe Sean Parnell, programues i filmave të shkurtër në Bertha DocHouse, i cili kontribuoi në programin e projeksioneve dhe shkëmbimin profesional. Në festival u prezantua edhe “The Gelina of Ribnovo” e producentit dhe regjisorit me bazë në Londër, Valon Ballabani, në kuadër të Garës Kombëtare.

Zëvendësdrejtoresha për Ballkanin Perëndimor dhe drejtoresha për Shqipëri e Kosovë në British Council, Majlinda Mazelliu, e ka vlerësuar bashkëpunimin me DokuFestin si një mundësi për forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve. “Partneriteti ndërmjet British Council dhe DokuFest tregon fuqinë e kulturës për të krijuar lidhje kuptimplote.

Programi i këtij viti ka sjellë një gamë të jashtëzakonshme zërash dokumentarë britanikë në Prizren, duke krijuar njëkohësisht mundësi për dialog, mësim dhe shkëmbim me komunitetin vibrant dhe krijues të Kosovës”, ka thënë Mazelliu.

Sipas British Council, bashkëpunimi me DokuFestin është pjesë e përpjekjeve për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve krijuese në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ballkanin Perëndimor, përmes zhvillimit të aftësive, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimit të rrjeteve profesionale.

Me shënimin e 25-vjetorit, DokuFesti vazhdon të shërbejë si një platformë ndërkombëtare për filmin dokumentar, duke sjellë në Prizren krijues, profesionistë të industrisë dhe audienca nga vende të ndryshme të botës.

Burimi: Telegrafi