Roma ka regjistruar një fitore spektakolare 4-0 ndaj Fiorentinës, në një ndeshje ku Donyell Malen dhe Paulo Dybala shkëlqyen në mënyrë të veçantë. Sulmuesi holandez ishte i pandalshëm në “Stadio Olimpico”, duke realizuar het-trik brenda një ore lojë. Malen shënoi në minutën e 27-të, 52-të dhe 60-të, ndërsa golin e katërt për Romën e realizoi Pisilli.
Por protagonisti tjetër i madh i mbrëmjes ishte Paulo Dybala. Argjentinasi dhuroi tri asistime për Malenin, duke qenë vendimtar në secilin prej golave të sulmuesit holandez. Kombinimi mes Dybala dhe Malen ishte një nga pikat më të spikatura të ndeshjes, duke ndezur tifozët e Romës dhe duke krijuar optimizëm për vazhdimin e sezonit.
Sipas statistikave të Opta-s, kjo ishte hera e parë që një futbollist në Serie A realizon het-trik duke marrë të tri asistimet nga i njëjti bashkëlojtar që nga 2 maji i vitit 2021. Atëherë Emanuel Vignato kishte asistuar për të tre golat e Rodrigo Palacios në ndeshjen ndaj Fiorentinës. Kësaj radhe, skenari u përsërit, por protagonistët ishin Dybala dhe Malen.
