Avokati Spartak Ngjela ka komentuar raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke vlerësuar se siguria e shqiptarëve në të dyja shtetet lidhet ngushtë me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një shkrim të tij, Ngjela thotë se Shqipëria ende nuk po drejtohet nga “patriotizmi shqiptar”, por nga ata që i cilëson si “ish-renegatë shqiptarë”.
Sipas tij, këta të fundit nuk kanë më fuqi t’i shkaktojnë “dëm historik” Shqipërisë, për shkak të aleancës së ngushtë mes Tiranës dhe Uashingtonit. “Gjithsesi Shqipëria është protektorat amerikan dhe gjithçka sot është e sigurt në të dy shtetet shqiptare: edhe në Shqipëri dhe në Kosovë”, shkruan Ngjela.
Ai kritikon, megjithatë, atë që e quan pasivitet të qeverisë së Edi Ramës në raport me Kosovën, duke argumentuar se kjo ka krijuar pengesa në zhvillimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Ngjela shprehet se marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe politikës amerikane janë faktori që, sipas tij, garanton sigurinë e të dyja shteteve shqiptare.
Në këtë kontekst, ai ngre kritika edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se “nuk po pranon” t’i ngrejë edhe më lart marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë. “Përse na duhet analiza e këtij fakti, sepse e gjithë bota shqiptare në Gadishullin tonë, tani është e mbrojtur, kurse zhvillimi është në kompetencë të kryeministrit Edi Rama”, shkruan Ngjela.
Në fund, avokati thotë se shqiptarët po presin zhvillime të reja, por paralajmëron se kjo pritje nuk mund të zgjasë pafundësisht.
