Rreth 300 gra nga sektori i biznesit, institucionet, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe komuniteti profesional, morën pjesë në konferencën “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, ngjarja e parë e këtij lloji në Kosovë e dedikuar fuqizimit ekonomik të grave dhe promovimit të ndërmarrësisë femërore.
Konferenca u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me G7, Forumin Ekonomik të Grave, Agjencinë për Barazi Gjinore dhe UN Women.
Në hapje të konferencës, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se historia e grave është histori këmbënguljeje dhe suksesi, duke theksuar rolin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
Ajo prezantoi të dhëna që tregojnë rritjen e pjesëmarrjes së grave në ekonomi, duke bërë të ditur se gratë janë pronare të 18 për qind të bizneseve në Kosovë, krahasuar me 10 për qind në vitin 2017. Sipas saj, një në tre biznese të reja të regjistruara gjatë këtij viti ka pronare një grua, ndërsa 40 për qind e vendeve në bordet e shoqërive aksionare mbahen nga gratë.
Kusari-Lila njoftoi gjithashtu se në kuadër të Agjencisë për Ndërmarrësi do të themelohet për herë të parë Divizioni për Gratë Ndërmarrëse, ndërsa skemat mbështetëse për gratë në biznes do të institucionalizohen dhe zgjerohen.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se gratë që investojnë dhe krijojnë vende pune kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe më të qëndrueshme.
Ai theksoi se zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet pa shfrytëzimin e plotë të potencialit të grave dhe nënvizoi rëndësinë e subvencioneve, qasjes në financa dhe politikave mbështetëse për ndërmarrëset. Sipas Kurtit, deri më tani janë mbështetur 399 biznese, prej të cilave 55 janë në pronësi ose bashkëpronësi të grave.
Gjatë konferencës u mbajtën katër panele diskutimi mbi sfidat dhe mundësitë e grave në ekonomi. Paneli i parë trajtoi politikat publike dhe masat institucionale për fuqizimin ekonomik të grave, ndërsa paneli i dytë u fokusua në qasjen në financa, të drejtat pronësore dhe mbështetjen financiare për ndërmarrëset.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për më shumë produkte financiare të dedikuara për gratë, rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e pronësisë dhe forcimin e rolit të grave në vendimmarrje.
Në panelin e tretë, sipërmarrëse të suksesshme ndanë historitë dhe përvojat e tyre në zhvillimin e bizneseve, ndërsa paneli i fundit diskutoi barrierat, diskriminimin dhe hendekun gjinor në tregun e punës.
Organizatorët thanë se “She Rises 2026” synon të shërbejë si platformë për dialog dhe bashkëpunim në mbështetje të grave në biznes, duke vlerësuar se fuqizimi ekonomik i grave mbetet një ndër parakushtet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës.
