Edhe një rast tragjik ka tronditur Malishevën, ku një grua humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri, ndërsa për rastin dyshohet bashkëshorti i saj. Sipas raportimeve, arma e përdorur ishte me leje. Ky rast tragjik ka rikthyer në vëmendje çështjen e posedimit të armëve dhe nevojën për masa më të forta parandaluese, veçanërisht në familjet ku ka konflikte apo probleme të vazhdueshme.
Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kriteret për pajisjen me leje për armë duhet të jenë më të ashpra, ndërsa problemet familjare nuk mund të zgjidhen përmes përdorimit të armëve. Blerim Burjani “Kuptohet se duhet të vendosen kritere më të ashpra sa i përket lejeve për armë. Problemet familjare nuk zgjidhen me armë, por me fjalë e psikolog.
Vetëdijësimi dhe forcimi i Qendrave për Punë Sociale është rrugë e mirë, pra rritja e vetëdijesimit shoqëror ka rëndësi të veçantë, si dhe forcimi institucional”, ka deklaruar Burjani. Ai ka theksuar se parandalimi i dhunës në familje nuk duhet të mbështetet vetëm te organet e rendit dhe ndëshkimet, por edhe te vetëdijesimi dhe trajtimi profesional i çifteve.
“Pra, nuk është thjesht puna e organeve të rendit dhe forcimi i dënimeve, por vetëdijesimi më i madh. Çiftet tek ne nuk kanë ndërtuar një mirëkuptim dhe komunikim normal, mbi të gjitha të shëndoshë. Komunikimi dhe trajtimi i rasteve nga psikologët ka rëndësi të madhe për shpëtimin e martesave dhe ndaljen e dhunës familjare”, ka thënë ai.
Sipas Burjanit, institucionet duhet të fokusohen më shumë në parandalim dhe në trajtimin e problemeve brenda familjeve, veçanërisht te çiftet e reja. “Asnjë shtet nuk e zgjidh problemin në mes bashkëshortëve apo çifteve përmes forcimit dhe ndëshkimit, por përmes psikologëve dhe ngritjes së vetëdijes për marrëdhënie bashkëshortore të shëndosha.
Çiftet e reja duhet të trajtohen nga institucionet përkatëse. Ne kemi mbi 1,400 shkurorëzime në periudhën gjashtëmujore të parë të këtij viti, prandaj situata aktuale dhe divorcet e shumta janë tregues realë për të marrë masa reale institucionale”, ka përmbyllur Burjani për “Bota sot”.
