Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka konfirmuar rastin e parë të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor (WNV) në Shqipëri për vitin 2026. Rasti është evidentuar gjatë dhjetëditëshit të dytë të muajit gusht në qarkun e Korçës, pas monitorimit të rasteve të dyshuara për infeksion nga ky virus, raporton A2 CNN, transmeton Sinjali.
Sipas ISHP-së, që nga fillimi i janarit të këtij viti janë testuar 30 mostra të personave të dyshuar për infeksion nga Virusi i Nilit Perëndimor, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i konfirmuar në Korçë është i pari i evidentuar në Shqipëri gjatë vitit 2026.
Pas konfirmimit të rastit, ISHP ka bërë të ditur se po vijon survejancën epidemiologjike te njerëzit, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit, si dhe monitorimin e situatës në terren. Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe është evidentuar në Shqipëri edhe në vitet e mëparshme.
Në vitin 2024, në Shqipëri u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u raportuan dy raste të konfirmuara. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
