Një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë pas vdekjes së një punëtori në lagjen Veternik të Prishtinës. Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në kuadër të veprimeve të ndërmarra deri më tani, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person i dyshuar me inicialet Xh.Sh., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarët okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave relevante për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”- thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinës ka njoftuar opinionin publik se sot, rreth orës , Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar për një aksident të ndodhur në një vendpunishte në lagjen Veternik në Prishtinë, ku një punëtor ka humbur jetën.
“Sipas të dhënave fillestare, aksidenti ka ndodhur gjatë kryerjes së punimeve në një objekt banesor në ndërtim, me ç’rast viktima dyshohet se ka rënë nga lartësia, dhe si pasojë e lëndimeve të rënda trupore ka humbur jetën”- thuhet në njoftim.
Ndërsa është bërë e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe Drejtoria e Inspektimit të Komunës.
Tutje thuhet se Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit, në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet e tjera kompetente, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, thuhet në njoftim. Një 49-vjeçar ka vdekur të hënën, më , në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar.
